E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga automatiku te verërat e Agasit, si ‘avullojnë’ provat në Shqipëri
Lajme

Nga automatiku te verërat e Agasit, si ‘avullojnë’ provat në Shqipëri

Gazetari Elton Qyno ka deklaruar se zhdukja e koleksionit të shtrenjtë dhe të vjetër me verë, i sekuestruar në banesën e Ergys Agasit, nuk mund të konsiderohet një rastësi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Qyno e lidh këtë ngjarje me një model të përsëritur ndër vite, duke kujtuar tre raste të bujshme ku prova materiale të administruara zyrtarisht me proces-verbal janë zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme nga institucionet ligjzbatuese.

Sipas tij, vetëm 24 orë pasi lajmi për sekuestrimin e koleksionit të verërave u shpërnda te disa gazetarë të përzgjedhur, jo vetëm që sendet nuk ekzistonin më, por në dosje kishin mbetur vetëm proces-verbalet përkatëse.

“Gjatë 20 viteve punë si gazetar i kronikës së zezë, kujtoj vetëm tre raste të bujshme ku prova materiale janë zhdukur në mënyrë spektakolare, ndonëse ishin administruar zyrtarisht”, shkruan Qyno, duke i renditur ato një nga një.

Rasti i parë daton në vitin 1998, kur nga dhoma e provave në Policinë e Durrësit u zhduk një automatik i sekuestruar në lidhje me një vrasje mes bandës së Durrësit dhe klanit të Marsel Sotirit. Në armë ishin fiksuar gjurmë gishtash që i përkisnin Klodian Saliut, por arma u zhduk dhe u arrit të zbulohej dinamika vetëm pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Adriatik Coli. Automatikut nuk iu gjet kurrë gjurma, ndërsa oficeri përgjegjës u përjashtua nga Policia, për t’u rikthyer më pas në radhët e saj dhe për të mbajtur sot një post të lartë.

Rasti i dytë, sipas Qynos, ndodhi në vitin 2011, kur prova materiale, sende personale dhe shuma monetare të sekuestruara ndaj një të dënuari për trafik droge, u zhdukën nga dhoma e provave të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Skandali u zbulua vetëm në momentin kur gjykata urdhëroi kthimin e sendeve, por konstatoi se ato nuk ekzistonin më. Ky rast solli më pas shkarkimin e kryetares së kësaj gjykate nga KLGJ.

Rasti i tretë, dhe më i fundit, është ai i zhdukjes së koleksionit luksoz të verërave në banesën e Ergys Agasit. Vetë SPAK, sipas gazetarit, kishte informuar disa gazetarë se koleksioni ishte zbuluar dhe sekuestruar, por vetëm një ditë më pas, provat ishin “avulluar” plotësisht, duke lënë pas vetëm dokumentacionin zyrtar.

Qyno ngre pikëpyetje serioze mbi fatin e provave dhe mënyrën se si trajtohen çështje të ndjeshme, duke theksuar se historia, në këtë rast, duket se po përsëritet.

Reagimi i plotë:

Në 20 vite punë si gazetar i Kronikës së Zezë, 3 raste të bujshme kujtoj, ku janë zhdukur në mënyrë spektakolare provat materiale të cilat janë administruar me proces-verbal nga institucionet ligjzbatuese.
1.Zhdukja e një automatiku nga dhoma e provave në Policinë e Durrës në vitin 1998. Arma ishte gjetur dhe sekuestruar nga policia lidhur me një vrasje të bërë nga anëtarët e bandës së Durrësit, ndaj një anëtari të klanit të Marsel Sotirit në Durrës. Në këtë armë ishin fiksuar gjurmët e gishtave të Klodian Saliut. Por automatiku u zhduk nga dhoma e provave dhe u arrit të zbulohet dinamika e zhdukjes vetëm pas dëshmisë së bashkëpuntorit të Krimeve të Rënda,Adriatik Coli.Kallashi nuk u gjet kurë.Ndërsa oficeri përgjegjës u përjashtua menjëherë nga Policia.Por në 2014 u kthye sërisht në detyrë, në rradhët e policisi dhe sot mban postin më të rëndësishëm në Policinë e Shtetit.
2. Zhdukja e provave si sende personale dhe shuma monetare të një të dënuari për trafik droge, ngjarja e ndodhur në 2011. Provat e sekuestruara janë vjedhur në dhomën e provave të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Rasti u zbulua vetëm kur Gjykata urdhëroi kthimin e sendeve personale dhe vlerave monetare, por vetë gjykata nuk ishte në gjëndjen çfarë të kthente pasi provat kishin firuar. Ky skandal solli më pas shkakrkimin nga KLGJ të Kryetares së Gjykatës së Krimeve të Rënda.
3. Dhe rasti i tretë është zhdukja e provave të një koleksioni të shtrenjtë dhe të vjetër me shishe vere në banesën e Ergys Agasit. Vetë SPAK, hapi lajmin tek gazetarë të përveçëm se kishte zbuluar dhe sekuestruar Ergys Agasit një koleksion të vjetër me verëra. Por 24 orë më pas nga ky lajm, koleksioni me verëra kishte avulluar duke u zhdukur i gjithi, duke lënë në dosje vetëm proces-verbalet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.