Sulmi i SHBA në Venezuelë,Trump:Kemi kapur Maduron dhe gruan
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se forcat amerikane kanë kapur presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij, gjatë një operacioni ushtarak të ndërmarrë në orët e para të mëngjesit në Venezuelë. Lajmi raportohet nga media italiane Corriere della Sera.
Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme ushtarake kundër Venezuela, duke shënuar një përshkallëzim të fortë të përpjekjeve të administratës Trump për të rrëzuar regjimin e Maduros.
Dëshmitarë në kryeqytetin Karakas raportojnë për disa shpërthime të fuqishme që kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit, sipas orës lokale. Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shpërthime të mëdha dhe fluturime të ulëta të avionëve ushtarakë, të cilët dyshohet se i përkasin forcave ajrore amerikane.
Ambasada e SHBA në Venezuelë ka reaguar me një deklaratë zyrtare në faqen e saj të internetit, duke bërë të ditur se është në dijeni të raporteve për shpërthime në dhe rreth Karakasit. Njëkohësisht, ambasada amerikane në Bogota, Kolumbi, ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë drejt Venezuelës.
Në deklaratë, autoritetet amerikane këshillojnë “fuqimisht” që shtetasit amerikanë që ndodhen aktualisht në Venezuelë të largohen menjëherë nga vendi, për shkak të situatës së rënduar të sigurisë.
Zhvillimet në Venezuelë pritet të kenë pasoja të forta gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet venezueliane lidhur me deklaratën e Trump për kapjen e Maduros.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



