E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria si “narko-shtet”, akuza për infiltrimin e krimit në shtet
Lajme

Shqipëria si “narko-shtet”, akuza për infiltrimin e krimit në shtet

Hetim ndërkombëtar

Një hetim i medias ndërkombëtare Follow the Money, i realizuar në bashkëpunim me BLAST, ngre akuza të rënda për infiltrimin e thellë të krimit të organizuar shqiptar në institucionet shtetërore, duke pretenduar se ky fenomen ka lulëzuar gjatë dekadës së fundit.

Në qendër të raportimit është dëshmia e ish-inspektorit të policisë Dritan Zagani, i cili nga azili në Zvicër e përshkruan Shqipërinë si një “narko-shtet”, ku figura të larta politike dhe institucionale dyshohet se kanë mbrojtur ose lehtësuar aktivitetet kriminale.

Sipas hetimit, gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, rrjetet kriminale shqiptare janë forcuar dhe zgjeruar ndjeshëm në Europë, veçanërisht në Itali, Belgjikë, Britani dhe Spanjë, duke dominuar tregjet e kanabisit dhe kokainës. Raportet e Europol dhe dëshmitë e prokurorëve italianë e rendisin mafian shqiptare mes pesë grupeve kriminale më të rrezikshme në kontinent, me ndikim mbi porte kyçe si Antverpen dhe Roterdam.

Hetimi përmend raste konkrete ku ish-zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshirë ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-ministrin Taulant Balla, janë përfshirë ose përmendur në hetime ndërkombëtare për lidhje me trafikantë droge. Ndërkohë, SPAK, institucioni i krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, kritikohet se nuk është realisht i pavarur dhe se përdoret për goditje selektive politike.

Pavarësisht këtyre akuzave, Bashkimi Europian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, çka ngre pikëpyetje mbi standardet e Brukselit. Ish-zyrtarë dhe ekspertë të cituar nga Follow the Money shprehen të habitur për vazhdimësinë e mbështetjes europiane ndaj Tiranës, ndërkohë që korrupsioni dhe ndikimi i krimit të organizuar mbeten të përhapura. “Europa po mbyll sytë ndaj realitetit në Shqipëri,” citohet të ketë deklaruar ish-ministri Arben Ahmetaj.

Raportimi është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta dhe debate mbi gjendjen e shtetit të së drejtës dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët europianë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.