Ahmetaj zbulon kushtin e vetëm: Ja kur do kthehem në Shqipëri
“Rama e ka lënë vendin në dorë të karteleve”
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se do të rikthehet në Shqipëri vetëm në momentin kur Edi Rama të mos jetë më kryeministër dhe kur drejtësia, sipas tij, të mos jetë më nën kontroll politik. Deklarata u bë gjatë intervistës në emisionin “Çim Peka LIVE”, ku Ahmetaj foli gjerësisht për kushtet në të cilat do të pranonte të përballej me drejtësinë shqiptare.
Ahmetaj u shpreh se rikthimi i tij do të ndodhte vetëm pasi drejtësia të “çlirohet nga kthetrat e kreut të organizatës”, duke iu referuar kryeministrit Rama, dhe të rifitojë, sipas tij, një standard njerëzor dhe profesional në hetim dhe gjykim. Ai theksoi se nuk i frikësohet përballjes me drejtësinë, por refuzon të kthehet në një sistem që, sipas tij, përdoret si mjet ndëshkimi politik.
Gjatë bisedës, Ahmetaj zbuloi se ka parë mesazhe private të shkëmbyera mes Edi Ramës dhe persona të afërt me të, ku vihej në diskutim emërimi i tij si zëvendëskryeministër. Sipas Ahmetajt, në këto mesazhe thuhej shprehimisht: “Pse e bëre zëvendëskryeministër, kur na premtove që do ta shkrije?”, ndërsa përgjigjja e Ramës ka qenë: “Dardha e ka bishtin mbrapa”.
Ai shtoi se ky komunikim i është ndarë nga persona që sot nuk i konsideron më miq, duke e cilësuar gjithë procesin si pjesë të një skeme të paramenduar për ta përdorur politikisht dhe më pas për ta eliminuar.
Ahmetaj foli edhe për marrëdhënien me ish-ministrin Ditmir Bushati, të cilit i kërkoi publikisht ndjesë. Ai pranoi se kishte qenë naiv në vlerësimin e Ramës dhe se paralajmërimet që kishte marrë në kohë për mënyrën se si po drejtohej shteti, nuk i kishte marrë seriozisht. Sipas tij, Rama jo vetëm që ia ka dorëzuar shtetin krimit të organizuar, por e ka kthyer atë në një strukturë private në funksion të karteleve të drogës.
Ish-zëvendëskryeministri deklaroi se rikthimi i tij në qeveri nuk ka qenë për interesa personale, por për të përballuar situata emergjente si kriza ekonomike dhe pandemia, duke shtuar se Rama personalisht i kishte kërkuar të rikthehej në detyrë, pasi, sipas tij, “qeveria po falimentonte”.
Në deklaratat e tij, Ahmetaj theksoi se paratë e drogës kanë shkatërruar klasën e mesme në Shqipëri dhe kanë deformuar ekonominë, politikën, shoqërinë dhe jetën publike. Ai e përshkroi realitetin aktual si “Shqipëria e frikës”, një vend që, sipas tij, nuk u përket më qytetarëve, por një grushti oligarkësh dhe grupeve kriminale.
Në fund, Ahmetaj u shpreh se ndodhet prej tre vitesh në një situatë juridike të paqartë, pa një dosje të çuar në gjykatë, ndërkohë që pretendon se është kërcënuar vazhdimisht dhe ka vijuar të denoncojë atë që ai e cilëson si kapje totale të shtetit, duke paralajmëruar se do të publikojë të tjera dosje që lidhen me institucione kyçe si Bashkia e Tiranës, Ministria e Infrastrukturës, AKSHI dhe sektori i shëndetësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



