Shqipëria ‘paralizohet’ nga ujë, familje evakuohen, rrugët bllokohen
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së kaluar kanë sjellë përmbytje dhe probleme serioze në disa qytete, me situatën më të rënduar të regjistruar në Durrës.
Qyteti bregdetar mbetet zona më e prekur nga moti i keq, ku në disa lagje niveli i ujit ka arritur deri në 50 centimetra. Spitalla, Nishtulla dhe zona e ish-Kënetës janë ndër më problematiket, me rrugë tërësisht të bllokuara dhe qarkullim pothuajse të pamundur. Në shumë segmente urbane, automjetet janë braktisur për shkak të ujit të lartë, ndërsa disa zona kanë mbetur të izoluara.
Si pasojë e situatës, mësimi është pezulluar në pjesën më të madhe të shkollave të Durrësit. Autoritetet arsimore kanë njoftuar prindërit dhe stafin pedagogjik që të shmangin lëvizjet deri në përmirësimin e kushteve, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe rrezikut për sigurinë.
Problemet nga përmbytjet kanë detyruar edhe evakuimin e disa familjeve. Aktualisht, tetë familje janë nxjerrë nga banesat e tyre, tre prej të cilave nga Shijaku. Një pjesë e tyre janë sistemuar në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për raste të tjera të mundshme.
Vështirësi të mëdha janë regjistruar edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku prania e ujit në disa segmente ka shkaktuar bllokime dhe defekte të automjeteve. Ndërkohë, edhe në kryeqytet reshjet e dendura kanë sjellë trafik të rënduar dhe probleme në qarkullimin urban.
Situata paraqitet problematike edhe në qarkun e Lezhës, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar sasi të konsiderueshme reshjesh. Si pasojë, është shënuar rritje e nivelit të lumenjve Drin dhe Mat, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe oborreve në disa zona.
Në Kukës, reshjet kanë sjellë vërshime uji që kanë përmbytur segmente rrugore dhe kanë dëmtuar disa akse nacionale e rurale. Dalja e përrenjve nga shtrati ka izoluar përkohësisht disa zona, ndërsa qarkullimi në disa rrugë mbetet i vështirë për shkak të dëmtimeve dhe pranisë së ujit.
Reshje me intensitet të lartë janë regjistruar edhe në Fier, të shoqëruara me stuhi ere, por deri tani nuk raportohen përmbytje apo dëme materiale.
Ndërkohë, për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 metrash kub ujë në sekondë, ndërsa procesi po monitorohet nga specialistët për të shmangur rrezikun në zonat përreth.
Moti i keq ka ndikuar edhe në aktivitetet fetare. Për herë të parë pas shumë vitesh, ceremonia tradicionale e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik në Durrës është anuluar për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa situata vijon të monitorohet në të gjithë vendin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



