Moti i keq sjell përmbytje dhe evakuime, qarqet më problematike
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin që prej orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar vështirësi në disa zona, ku ekipet e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
Në fshatin Dukagjin i Ri të njësisë administrative Thumanë, u bë evakuimi i një familjeje me pesë anëtarë, pasi uji depërtoi brenda banesës. Familja është sistemuar në një ambient të sigurt nga autoritetet vendore.
Ndërkohë, në Zejmen të Lezhës, vërshimi i përrenjve të Prullit dhe Pllanës shkaktoi prezencë uji në të paktën katër banesa, ndërsa banorët janë strehur përkohësisht deri në normalizimin e situatës. Ekipet në terren kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimet e para.
Situata në qarqe
Qarku Durrës
Në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm, vijon puna për pastrimin e zonave të përmbytura. Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm paraqitet brenda normave. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj po punojnë me kapacitet të plotë.
Qarku Dibër
Situata në territor konsiderohet e qetë, megjithatë ka mungesë energjie në disa njësi si Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht Arras e Fushë Çidhën. Ekipet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.
Qarku Lezhë
Në bashkinë Kurbin vijon normalizimi në zonat Mamurras, Gjorëm, Zhejë dhe Fushë-Mamurras. Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga prurjet e lumit Droje. Segmenti Skuraj–Gallatë–Vinjollë mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës së Vinjollës. Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave.
Qarku Kukës
Rënie inertesh janë raportuar në disa akse rrugore. Kompanitë kontraktore punojnë për pastrimet. Segmenti Vranisht–Fajza në bashkinë Has është dëmtuar nga reshjet.
Qarku Shkodër
Forcat e Armatosura dhe punonjës të bashkisë po pastrojnë inertet në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë). Ndërkohë, rruga Ndërlysë–Breg Lumi mbetet e bllokuar.
Qarku Elbasan
Nuk raportohen dëmtime madhore, përveç rënies së inerteve në rrugët Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, që po pastrohen nga ekipet e mirëmbajtjes.
Situata energjetike
OSHEE njofton se ekipet në terren po punojnë për rikthimin e energjisë në disa zona, përfshirë:
▪ disa fshatra të Rubikut (Mirditë)
▪ zonat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj (Tropojë)
▪ njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Gjirokastër)
▪ disa njësi të Qarkut Korçë
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme nga reshjet deri në orët e pasdites.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



