Vuçiç rihap tensionet në Ballkan, sfidon Perëndimin për Kosovën
“Nuk jam naiv e budalla si Milosheviçi”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka folur për forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit, duke theksuar se Serbia është e përgatitur të reagojë fuqishëm ndaj çdo agresioni të mundshëm, por pa pasur synim të sulmojë askënd. Deklaratat u bënë gjatë ceremonisë së hapjes së një spitali në Trebinje.
Vuçiç reagoi ashpër ndaj krahasimeve me ish-presidentin Slobodan Millosheviç, duke deklaruar se Serbia e sotme nuk është ajo e së shkuarës.
“Unë nuk jam Millosheviçi juaj. Nuk jam as naiv dhe as budalla që t’ju besoj. Serbia ka mësuar nga historia dhe do të ruajë lirinë e saj, pa rrezikuar askënd”, u shpreh ai.
Duke iu referuar çështjes së Kosovës, presidenti serb ironizoi krahasimet që bëhen mes Kosovës dhe Groenlandës, duke vënë në pikëpyetje standardet ndërkombëtare mbi sovranitetin dhe integritetin territorial. “Le të vendosin ata mes vetes. Ne vetëm do t’i pyesim: çfarë ndodhi me Kosovën? A po flisni për integritet territorial dhe sovranitet?”, deklaroi Vuçiç.
Në fjalën e tij, Vuçiç u ndal edhe te situata e brendshme dhe zhvillimet ndërkombëtare, duke theksuar se Serbia, sipas tij, ka ruajtur paqen në rajon gjatë katër viteve të fundit. Ai shtoi se vendi nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka planifikuar asnjë sulm, pavarësisht akuzave dhe tensioneve të herëpashershme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



