E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edi Rama po përcjell për herë të dytë Donald Trumpin si president të SHBA
OP-ED

Edi Rama po përcjell për herë të dytë Donald Trumpin si president të SHBA

Trumpi ndëshkohet, Orbani dhe Vuçiçi rrëzohen. Vetëm Rama mbetet në këmbë

Edi Rama po përcjell për herë të dytë Donald Trumpin si president të Shteteve të Bashkuara. Ai ishte kryeministër kur Trumpi erdhi në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, ishte kur iku në vitin 2021 dhe është edhe sot, kur Trumpi humbi kontrollin e Kongresit në mes të mandatit të dytë.

Mesazhi i amerikanëve ishte i qartë. Trumpi u kërkoi të votonin sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit, dhe ata e bënë këtë. E ndëshkuan për premtimet e pambajtura, për çmimet që nuk ranë, për arrogancën dhe për luftën me institucionet. Në një demokraci të vërtetë, vota është fatura që i paraqitet pushtetit.

Por Trumpi nuk është i vetmi. Në prill të këtij viti, hungarezët i dhanë fund 16 vitesh sundim të Viktor Orbanit, njeriut që kishte ndërtuar modelin e “demokracisë joliberale”, që kontrollonte mediat, gjykatat dhe biznesin. Péter Magyar e mundi me një fitore dërrmuese, dhe Orbani u detyrua ta pranojë humbjen me një telefonatë.

Pak ditë më parë, në Beograd, ishte radha e Aleksandar Vuçiçit. Pas 14 vitesh pushtet dhe gati dy vitesh protestash studentore, një listë e drejtuar nga një kardiolog i Novi Sadit i mori shumicën në Kuvend. Vuçiçi, i pathyeshmi i Ballkanit, pranoi humbjen.

Orbani, Vuçiçi dhe Trumpi. Tre stile të ndryshme, një fund i njëjtë: kur pushteti humbet kontaktin me jetën e njerëzve, populli e dënon me votë.

Në Shqipëri ndodh e kundërta

Këtu, sa më shumë premtime të pambajtura dhe sa më shumë skandale të ketë qeverisja, aq më shumë mbështetje duket se merr. Inceneratorët, tenderët, ministrat në hetim, drejtorët që shkarkohen me telefon, të rinjtë me plumb gome në sy: asgjë nuk duket se e lëviz kutinë e votimit.

Kjo nuk është mrekulli politike. Është një realitet elektoral artificial, i prodhuar nga një sistem ku një individ i vetëm shtrin dorën mbi çdo institucion, nga katedrat universitare te policia, nga Gjykata Kushtetuese deri te ajo që duhej të ishte dera e fundit e drejtësisë, SPAK-u. Ky individ ka vetëm një emër: Edi Rama.

Orbani ndërtoi të njëjtin sistem dhe ra. Vuçiçi ndërtoi të njëjtin sistem dhe ra. Dallimi është se në Hungari dhe në Serbi, shoqëria gjeti forcën të bashkohej rreth një alternative të besueshme dhe ta mbronte votën e vet. Në Shqipëri, opozita zyrtare fle dhe të rinjtë mbeten vetëm në shesh.

Por historia e këtij viti tregon diçka që Rama nuk do ta dëgjojë: asnjë sistem nuk është i përjetshëm. Edhe Orbani besonte se ishte. Edhe Vuçiçi besonte se ishte.

Thënë  shkurt, në një narkoshtet, vullnetin tënd të shprehur me votë e lexon dhe e deformon Partia-Shtet, përmes parasë, kërcënimit dhe krimit që ka depërtuar në çdo qelizë të shoqërisë. Pikërisht për këtë, e vetmja përgjigje është një votë kaq e madhe sa të mos mund të deformohet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.