Dy humbje, një miqësi dhe një vend bosh për Ramën
Në pritje të vëllait nga Shqipëria për t’u bërë tre
Vuçiç dhe Orban takohen në Beograd pas humbjes së pushteti
Dy miq të vjetër, dy humbje zgjedhore dhe një premtim i përbashkët për t’u rikthyer në pushtet. Aleksandar Vuçiç dhe Viktor Orban janë ritakuar pranë Beogradit, në një takim ku nuk kanë munguar përqafimet, deklaratat e miqësisë dhe mesazhet politike për të ardhmen. Por, mes dy ish-udhëheqësve që tashmë kanë lënë drejtimin e vendeve të tyre, duket se ka vend edhe për një të tretë: Edi Ramën, mikun e tyre nga Shqipëria, i cili për momentin vijon të mbajë çelësat e Kryeministrisë.
Takimi u zhvillua të shtunën në shtëpinë e babait të Vuçiçit, në periferi të Beogradit, dhe shënoi daljen e parë publike të përbashkët të dy politikanëve pas disfatave elektorale të këtij viti. Ish-presidenti serb publikoi edhe një video në Instagram, të cilën e shoqëroi me mbishkrimin: “Viktori dhe unë. Një histori miqësie”.
Në pamjet e publikuara, Vuçiç shfaqet duke mirëpritur Orbanin me një përzemërsi të veçantë, duke e cilësuar mik të madh dhe vëlla. Por, krahas përqafimeve, nuk mungoi as mesazhi që të dy duket se duan t’ia përcjellin mbështetësve të tyre pas humbjes së zgjedhjeve.
“Jam shumë i lumtur që mund të pres Viktor Orbanin, mikun tim të madh, vëllanë tim. Do të kalojmë bukur këtu, në shtëpinë e babait tim, jo larg Beogradit. Dhe po, të dy humbëm së fundmi në zgjedhje, por nuk e humbëm dinjitetin tonë, krenarinë tonë e as besimin tonë. Mirë se erdhe, Viktor”, u shpreh Vuçiç.
Orban, nga ana e tij, u përgjigj me të njëjtën gjuhë miqësore, duke theksuar se marrëdhëniet e vërteta nuk ndryshojnë për shkak të humbjeve politike.
“Mund të jesh i sigurt, Aleksandar, se unë personalisht jam gjithmonë në anën tënde”, deklaroi ish-kryeministri hungarez.
Ai vlerësoi gjithashtu afrimin e marrëdhënieve mes Hungarisë dhe Serbisë gjatë viteve të fundit, duke e cilësuar forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe popujve të tyre si një arritje të rëndësishme. Orban u shpreh i vendosur që bashkëpunimi të vazhdojë, pavarësisht se të dy nuk mbajnë më postet që kishin deri pak kohë më parë.
Në fund, Vuçiç e mbylli videon me një deklaratë që përmblodhi gjithë mesazhin e takimit: “Do të kthehemi!”. Pas kësaj, dy miqtë u përqafuan, duke dhënë përshtypjen se humbja e pushtetit nuk ka ndikuar aspak në planet e tyre për të ardhmen.
Dy humbje, një miqësi dhe një vend bosh për Ramën
Takimi i tyre vjen pas zhvillimeve të rëndësishme politike në të dyja vendet. Në Serbi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit sollën humbjen e listës “Serbia e Bashkuar”, të drejtuar nga Vuçiç, përballë Listës Studentore. Ish-presidenti serb e pranoi rezultatin negativ rreth një orë e gjysmë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Ndërkohë, në Hungari, Viktor Orban humbi zgjedhjet e prillit të këtij viti, duke i dhënë fund 16 viteve në krye të qeverisë. Partia e tij u mposht nga opozitarja Tisza, e drejtuar nga Péter Magyar.
Vuçiç, nga ana tjetër, largohet pas 14 vitesh në krye të Serbisë, duke mbyllur një kapitull të gjatë të dominimit të tij politik.
Por, ndërsa dy ish-udhëheqësit kanë gjetur kohën të takohen, të përqafohen dhe të premtojnë rikthimin, në këtë fotografi politike ballkanike mungon ende një emër i njohur: Edi Rama.
Kryeministri shqiptar ka pasur marrëdhënie të afërta politike me të dy, ndërsa takimet dhe deklaratat e përbashkëta ndër vite kanë dëshmuar raportet e mira mes tyre. Tani që Vuçiç dhe Orban ndodhen në kampin e ish-udhëheqësve, ironia është se mund të presin edhe mikun e tyre nga Tirana për ta kompletuar shoqërinë.
Për momentin, Rama nuk ka të njëjtin status politik me dy miqtë e tij, pasi vijon të drejtojë qeverinë shqiptare. Por, nëse një ditë edhe atij do t’i duhet të largohet nga zyra e Kryeministrisë, mund të ketë tashmë dy miq që e presin për një takim pranë Beogradit ose Budapestit.
Deri atëherë, Vuçiç dhe Orban do të vazhdojnë të përsërisin premtimin e tyre: “Do të kthehemi!”. Ndërsa për treshen hipotetike ballkanike mbetet vetëm një pyetje: A do të mjaftojnë dy përqafime, apo një ditë do të bashkohet edhe vëllai nga Shqipëria?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



