PD nxjerr listën e emrave: Miliona euro kontrata sekrete në AKSHI
Partia Demokratike ka ashpërsuar akuzat ndaj qeverisë në lidhje me skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke denoncuar atë që e cilëson si një skemë të mirëorganizuar abuzimi me fondet publike përmes kontratave të klasifikuara. Në një dalje publike, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, publikoi emra kompanish që, sipas saj, kanë përfituar miliona euro nga këto kontrata, duke i bërë thirrje SPAK-ut që hetimi të shkojë deri te kryeministri Edi Rama.
Sipas Vangjelit, mungesa e fondeve për ndihmën ekonomike, barnat, fermerët apo pensionet lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si menaxhohen paratë e shtetit. Ajo deklaroi se Partia Demokratike ka depozituar dhjetëra denoncime për AKSHI-n, ku është evidentuar klientelizëm dhe abuzim sistematik me prokurimet publike, veçanërisht përmes kontratave të klasifikuara me afate mbi 24 apo 36 muaj, të lidhura pas emërimit të Mirlinda Karçanajt në krye të këtij institucioni.
PD thekson se, sipas ligjit, kontratat e klasifikuara duhet të përdoren vetëm në raste që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, ndërkohë që në rastin e AKSHI-t ato kanë pasur si objekt shërbime sigurie, ruajtjeje dhe kryesisht mirëmbajtje pajisjesh zyre. Referuar të dhënave zyrtare nga “Spending Data”, nga viti 2016 e deri më sot, për rreth një dekadë, janë shpenzuar 104 milionë euro për kontrata të tilla, pa njoftime publike, pa transparencë dhe pa garë.
Sipas PD-së, përfituesit kryesorë të këtyre kontratave janë disa kompani private, mes tyre:
– ABS shpk, e lidhur me Gerond Meçen, me përfitime rreth 17 milionë euro;
– FIRST shpk, me 18.5 milionë euro, përfshirë pagesa nga AKSHI dhe Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike;
– Infosoft Systems, me 12.6 milionë euro;
– TBS 96 shpk, me 11.8 milionë euro;
– AES Communication, me 6.7 milionë euro;
– Soft Solution, me 5 milionë euro;
– IKUBINFO, me 3.8 milionë euro;
– Alisa Albania, me 2.1 milionë euro;
– Image Communication Development, me 2 milionë euro;
– Intech+, me 1.6 milionë euro;
– Fastech shpk dhe Trezhnjeva shpk, me nga 1.2 milionë euro secila.
Në përfundim, Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të përmbyllë hetimet për AKSHI-n, duke analizuar në mënyrë të plotë kontratat e klasifikuara dhe duke shkuar, sipas saj, te përgjegjësia politike e kryeministrit Edi Rama, si epror i këtij institucioni. PD thekson se drejtësia nuk mund të jetë e plotë pa vendosjen e përgjegjësisë për shpërdorimin e miliona eurove të taksapaguesve shqiptarë.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Nëse sot mungojnë paratë për ndihmën ekonomike, për barnat, për fermerët apo për pensionet, arsyeja është e thjeshtë: paratë e shtetit përfundojnë në duart e pushtetit. Partia Demokratike ka kryer dhjetëra denoncime të lidhura drejtpërdrejt me AKSHI-n, ku është evidentuar qartë klientelizmi dhe abuzimi sistematik me prokurimet. Për publikun dhe në vëmendje të SPAK, sot sjellim numrin e lartë të kontratave të klasifikuara që AKSHI ka lidhur me kohëzgjatje mbi 24 apo 36 muaj. Këto kontrata kanë nisur pas marrjes së detyrës si drejtuese e AKSHI-t nga Mirlinda Karçanaj.
Kontratat e klasifikuara, sipas ligjit, përjashtohen nga prokurimi publik vetëm kur kanë ndikim të veçantë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Ndërsa kontratat e klasifikuara të AKSHI-t kanë si objekt shërbime sigurimi, ruajtjeje dhe, në pjesën dërrmuese të tyre, shpenzime për mirëmbajtjen e pajisjeve të zyrave. Sipas të dhënave zyrtare të Spending data, nga viti 2016 e deri më sot, për 10 vite, shqiptarët kanë paguar plot 104 milionë euro për kontrata të tilla. Pa asnjë njoftim publik, pa transparencë, pa publikuar të dhëna apo drafte kontratash dhe përmes kontraktimeve të mbyllura pa garë, rezulton se pagesat më të larta për kontrata të klasifikuara nga AKSHI kanë shkuar për:
ABS shpk, me pronar Gerond Meçe (aktualisht kaluar në emër të nënës së tij), e cila ka përfituar 17 milionë euro, kryesisht për shpenzime mirëmbajtjeje të pajisjeve të zyrave. FIRST shpk, me pronarë prestanome dhe shtetasin Gëzim Hoxha, ka përfituar 18.5 milionë euro, nga të cilat 3.5 milionë nga AKSHI dhe 15 milionë euro me një pagesë të vetme nga Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.
Infosoft Systems, me pronarë Armand Sharra dhe Bledar Dhima-12.6 milionë euro.
TBS 96 shpk, me pronar Artan Xhori-11.8 milionë euro.
AES Communication shpk, me pronar Jani Angjeli-6.7 milionë euro.
Soft Solution shpk, me pronar Ermal Beqiri-5 milionë euro.
IKUBINFO, me pronarë Romeo Sherko dhe Armand Sharra-3.8 milionë euro.
Alisa Albania, me pronarë vëllezërit Dulaku-2.1 milionë euro.
Image Communication Development, me pronar Igli Gjelishti-2 milionë euro.
Intech +, ish-pronar Ilir Beqaj, aktualisht Sokol Sinani-1.6 milionë euro.
Fastech shpk, me pronar Andis Papa-1.2 milionë euro.
Trezhnjeva shpk, me pronar Adem Trezhnjeva-1.2 milionë euro.
Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të finalizojë hetimet për AKSHI-n, duke marrë në konsideratë kontratat e kategorizuara si ‘të klasifikuara’, dhe hetimi të shkojë tek Edi Rama, si eprori i AKSHI-t dhe përgjegjësi kryesor për planifikimin dhe organizimin e këtyre skandaleve që kanë sjellë shpërdorimin e miliona eurove të shqiptarëve.
Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe ajo nuk mund të ekzistojë për sa kohë Edi Rama nuk i dorëzohet drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



