E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Reshje e përmbytje nga moti i keq, del nga shtrati dhe lumi Devoll
Lajme

Reshje e përmbytje nga moti i keq, del nga shtrati dhe lumi Devoll

Juglindja e vendit është zgjuar këtë të enjte nën ndikimin e reshjeve të dëborës, të cilat kanë shfaqur intensitet të lehtë deri në mesatar. Situata paraqitet e përhapur në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa zonat më të prekura nga reshjet më të dendura janë Dardha, Voskopoja, Erseka dhe Qafa e Thanës.

Në Qafë Thanë po ndërhyhet me disa mjete borëpastruese për pastrimin dhe kriposjen e akseve rrugore, një proces që po zbatohet paralelisht edhe në zona të tjera të qarkut. Pavarësisht vijimit të reshjeve, deri në këto momente nuk janë raportuar probleme serioze në qarkullimin e automjeteve.

Në Hidrovorin e Tushemishtit vijon puna me tre pompa aktive, ndërsa niveli i ujit mbetet i lartë, por situata konsiderohet e menaxhueshme dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

Në territorin e Bashkisë Maliq, lumi Devoll ka dalë nga shtrati në një segment të argjinaturës në zonën e Sheqerasit, ndërkohë që në Dunavec prurjet kanë arritur nivelin maksimal, pa u regjistruar dalje nga shtrati. Vështirësi janë konstatuar edhe në disa akse rrugore për shkak të përmbytjeve lokale, rrëshqitjeve të dherave dhe rënies së gurëve, veçanërisht në zonat Mesmal, Lozhan i Lartë dhe Kakaç. Rezervuarët mbeten nën vëzhgim të vazhdueshëm, ndërsa në Leminot është hapur lëshuesi katastrofik pas kapjes së kuotës maksimale. Në këtë zonë kanë nisur gjithashtu reshje bore me trashësi rreth 2 centimetra.

Në Bashkinë Korçë, aksi rrugor drejt Denasit vazhdon të paraqesë problematika, megjithatë rënia e nivelit të ujit ka ulur ndjeshëm rrezikun për banesat përreth. Ndërkohë, situata paraqitet më e rënduar në Bashkinë Devoll, konkretisht në njësinë administrative Proger, për shkak të rritjes së prurjeve ujore në disa fshatra.

Në Bashkinë Pogradec, njësia administrative Dardhas mbetet e izoluar nga rruga dhe pa furnizim me energji elektrike, ndërsa janë evidentuar rrëshqitje në disa segmente. Probleme raportohen gjithashtu në lumenjtë Rëmenj dhe Verdovë, si dhe në aksin Qukës–Qafë Plloçë, ku ekipet po punojnë për hapjen dhe sigurimin e qarkullimit. Në disa zona, reshjet e shiut po shndërrohen gradualisht në borë.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, në disa nga akset kryesore të vendit kanë nisur reshje bore dhe po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim garantimin e sigurisë së qarkullimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.