E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Familja hedh poshtë versionin e Bashkisë për vdekjen e Astrit Hysenajt
Lajme

Familja hedh poshtë versionin e Bashkisë për vdekjen e Astrit Hysenajt

“Ishte në krye të detyrës, të mos thonë se iku nga puna”

Astrit Hysenaj, 54 vjeç, u gjet i pajetë në ditën e tretë të përmbytjeve në Durrës, në një kanal kullues pranë zonës së ish-repartit ushtarak në Plepa, teksa ishte nisur për në punë që në orët e para të mëngjesit.

Ngjarja ka ngjallur dyshime të forta dhe reagime nga familjarët, të cilët këmbëngulin se ai humbi jetën në krye të detyrës, duke pastruar kanalet nga mbetjet, ndryshe nga sa pretendon Bashkia e Durrësit, e cila thotë se në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit, ai nuk ishte në orar pune.

Familjarët i kanë dhënë lamtumirën e fundit 54-vjeçarit mes dhimbjes dhe kërkesës për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së tij.

Mbesa e viktimës, Klediana Bërsheni, rrëfen se Astrit Hysenaj kishte dalë nga shtëpia si çdo ditë tjetër pune, rreth orës 05:30 të mëngjesit, pavarësisht përpjekjeve të familjes për ta ndalur, për shkak të motit të keq dhe përmbytjeve që kishin përfshirë zonën.

Deri në orën 10:30, kur ai përfundonte zakonisht orarin zyrtar të punës, familja nuk ishte shqetësuar. Alarmimi nisi vetëm pasi Hysenaj nuk u kthye më në shtëpi, çka i detyroi të afërmit të bëjnë kallëzim në polici dhe të nisin vetë kërkimet.

Sipas familjarëve, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se deri në orën 08:25, Astrit Hysenaj ka qenë duke punuar pranë mbikalimit të parë të këmbësorëve në aksin Plepa–Durrës, ku shihet duke pastruar zonën nga mbetjet e sjella nga uji.

Detaje edhe më të forta sjell Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës, i cili pohon se familja disponon pamje filmike që dokumentojnë momentet e fundit të 54-vjeçarit para se të zhdukej nga pamja.

Sipas tij, në ato momente niveli i ujit ishte deri në gju, ndërsa Astrit Hysenaj shihet duke mbledhur letra dhe mbeturina që notonin mbi ujë dhe duke i hedhur në kosh, duke kryer detyrën deri në çastet e fundit të jetës.

Familjarët theksojnë se vendi ku u gjet trupi i pajetë është në të njëjtën zonë ku ai është parë për herë të fundit, ndërsa rrjedha e ujit dyshohet se e ka transportuar trupin drejt kanalit ku u gjet.

Ata kërkojnë që figura e Astrit Hysenajt të mos përbaltet dhe që institucionet të sqarojnë plotësisht ngjarjen, duke vënë në dispozicion çdo pamje filmike apo provë që ndihmon në zbardhjen e së vërtetës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.