Thirrja e fortë drejt OLAF, KE dhe EuroJust: Hetoni aferën Mogherini!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta lidhur me atë që e cilëson si një aferë të dyshimtë mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-zyrtarës së lartë europiane Federica Mogherini, e lidhur me çështjen e kampusit universitar në Tiranë.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit se kampusi i Universitetit të Tiranës mund të zhvendoset drejt Durrësit, në një kohë kur toka e universitetit publik pretendohet se i është kaluar Kolegjit Europian, Berisha u shpreh se kjo situatë përbën një skandal madhor.
Sipas tij, prej vitesh është premtuar ndërtimi i kampusit në Tiranë, janë hartuar projekte dhe janë parashikuar fonde konkrete, por në vend të kësaj, toka e kadastruar dhe e destinuar për studentët e Universitetit të Tiranës është përdorur për interesa të tjera. Berisha pretendon se kjo është bërë përmes një marrëveshjeje të fshehtë mes Ramës dhe Mogherinit, e cila, sipas tij, nuk është bërë kurrë transparente dhe nuk është paraqitur për miratim në Kuvend.
Ai deklaroi se opozita do t’u drejtohet institucioneve europiane të drejtësisë, përfshirë Komisionin Europian, Prokurorinë Publike Europiane, OLAF-in dhe Eurojust-in, për të hetuar këtë çështje. Berisha theksoi se, bazuar në informacionet paraprake që ai disponon, kjo aferë mund të jetë disa herë më e madhe se skandali i Bryzhit.
Në fund, kreu i PD-së paralajmëroi se pa një hetim të plotë dhe të pavarur nga autoritetet e Bashkimit Europian, kjo çështje nuk do të mbyllet dhe se, sipas tij, e vërteta mbi atë që ai e quan korrupsionin Rama–Mogherini duhet të zbardhet përfundimisht në gjykatë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



