E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Eurojust çmonton rrjetin ndërkombëtar të mashtrimit me Call Center
Lajme

Eurojust çmonton rrjetin ndërkombëtar të mashtrimit me Call Center

Shtatë të arrestuar në Kosovë

Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga autoritetet ligjzbatuese, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, ka goditur një rrjet të dyshuar për mashtrime financiare përmes platformave të rreme të investimeve. Në kuadër të aksionit, shtatë persona janë arrestuar në Kosovë, ndërsa ndaj tyre është kërkuar ekstradimi drejt Gjermanisë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Eurojust, grupi dyshohet se ka mashtruar qytetarë përmes skemave të investimeve online, duke shkaktuar dëme financiare që llogariten në mbi 4 milionë euro.

Faza e fundit e operacionit është shoqëruar me kontrolle në 17 ambiente të ndryshme, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar më shumë se 100 serverë, të cilët dyshohet se kanë shërbyer për funksionimin e infrastrukturës teknologjike të rrjetit.

Hetimet kanë nxjerrë gjithashtu në pah aktivitetin e një kompanie me lidhje në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se u ofronte grupeve kriminale shërbime të gatshme për ngritjen dhe administrimin e platformave mashtruese në internet.

Kjo skemë funksiononte sipas modelit të njohur si “Crime-as-a-Service” (krimi si shërbim), përmes të cilit subjekte të specializuara vënë në dispozicion të grupeve kriminale teknologjinë, faqet e internetit dhe mjetet e nevojshme për realizimin e aktiviteteve të paligjshme.

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me shtrirjen gjeografike të aktivitetit. Dyshohet se klientë të kompanisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë përdorur qendra telefonike (Call Center) për të kontaktuar viktimat dhe për t’i orientuar drejt platformave të rreme të investimeve.

Përmes këtyre strukturave, personat që përfshiheshin në skemë dyshohet se bindnin qytetarët të investonin para, duke u krijuar përshtypjen se po përfitonin nga mundësi reale financiare.

Autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare. Megjithatë, deri më tani nuk janë publikuar të gjitha detajet mbi identitetin e personave të arrestuar dhe subjektet e kontrolluara në territorin kosovar.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mënyrën e funksionimit të rrjetit, përmasat e aktivitetit dhe rolin që dyshohet se kanë pasur personat apo kompanitë e përfshira në këtë skemë ndërkufitare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.