Motra e të dhunuarit Altin Meçaj: Vajza t’i bënte bllok mos ta zgjaste
“Mjaft më me këtë telenovelë”
“Duhet t’i jepet fund kësaj telenovele, drejtësia le të bëjë punën e saj.” Ky është mesazhi që Xhuli Meçaj, motra e Altin Meçajt, ka përcjellë në një prononcim për mediat. Ajo bën thirrje që ngjarja të trajtohet me qetësi, pa spekulime apo interpretime të nxituara, duke theksuar se vetëm institucionet e drejtësisë janë përgjegjëse për zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Reagimi i saj vjen pas qarkullimit në rrjetet sociale të disa mesazheve, të cilat familja Meçaj i cilëson si të manipuluara dhe jashtë kontekstit real të ngjarjes.
Sipas Xhuli Meçajt, familja kërkon një hetim të thelluar, të paanshëm dhe transparent, ndërsa nënvizon se askush nuk duhet të paragjykohet pa një vendim përfundimtar nga drejtësia.
Ajo shprehet se familja e saj nuk mund të mbajë përgjegjësi për problematikat personale të palës tjetër, por refuzon kategorikisht që ato të përdoren për të njollosur apo traumatizuar padrejtësisht familjen Meçaj. Sipas saj, akuzat e pabazuara dhe komentet e pakontrolluara po krijojnë një presion të panevojshëm dhe të padrejtë.
Njëkohësisht, Xhuli Meçaj thekson se familja e saj ruan respekt për familjen Lamaj, pavarësisht situatës së rëndë. Ajo e dënon dhunën ndaj një të moshuari si të papranueshme, si në aspektin moral ashtu edhe në atë ligjor, por sqaron se familja nuk kërkon hakmarrje dhe as përshkallëzim të konfliktit.
“Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por vetëm drejtësi dhe zbardhje të së vërtetës,” deklaron ajo, duke apeluar që të ndalet gjuha e urrejtjes dhe presioni publik ndaj palëve të përfshira.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse pritet të vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa familjarët kërkojnë që çështja të mos kthehet në një gjyq publik, por të trajtohet në përputhje të plotë me ligjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



