Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, duke folur për tradhti, pabesi dhe njerëz që, sipas tij, e kanë zhgënjyer gjatë rrugëtimit të tij profesional.
Në reagimin e tij, nën kontekstin e skandalit të Aeroportit të Vlorës, Pacolli thekson sjellje që i konsideron negative, si gënjeshtra, hajnia, shpifja dhe gjuha e ndyrë, duke shtuar se këto ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe rëndojnë shpirtin e atij që i përjeton.
Ai shpjegon se personat që ka larguar nga rrethi i tij kanë tentuar të dëmtojnë imazhin dhe projektet e tij, por sipas tij, këto përpjekje kanë dështuar.
“Njerëzit e mirë shpërblehen dhe të këqijtë ndëshkohen nga jeta. Herët apo vonë,” shkruan Pacolli në postimin e tij.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur po zhvillohen diskutime mbi një ndërhyrje të mundshme të shtetit në projektin e Aeroportit të Vlorës, duke përfshirë edhe skenarin e shtetëzimit për shkak të përplasjeve mes ortakëve dhe sfidave në menaxhim.
Më herët, ortaku Valon Ademi ka bërë akuza publike ndaj Pacollit, duke pretenduar se Aeroporti i Vlorës është lënë në dorë të një kompanie me lidhje ruse, gjë që ka ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe të ardhmen e projektit.
Pacolli, në postimin e tij, thekson:
“Përtej diskutimeve në rrethe të ngushta, deri më tani nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga institucionet shtetërore lidhur me ndonjë vendim për shtetëzim. Ndërkohë, palët e përfshira vazhdojnë deklaratat publike, duke penguar një projekt strategjik të vendit dhe duke e bërë objekt të skemave për të zhvatur qindra miliona euro.”








