Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës, punonjësit nuk largohen nga godina
Punonjësit e Kadastrës së Vlorës vijojnë të qëndrojnë në ambientet e institucionit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për largimin e tyre. Sipas urdhrit në fuqi, deri më 31 janar pritet të zhvendoset e gjithë baza materiale, ndërsa 55 punonjës janë parashikuar të transferohen drejt Tiranës.
Momente të forta emocionale janë regjistruar gjatë rikthimit në godinë të nëndrejtorit Sokol Shehaj, i cili shkoi për të takuar ish-kolegët e tij. Punonjësit e pritën me duartrokitje dhe lot, duke e konsideruar atë si zërin e tyre mbështetës brenda institucionit.
Shehaj është shkarkuar nga detyra pasi doli hapur në mbështetje të punonjësve të Hipotekës dhe firmosi peticionin kundër transferimit, një veprim që, sipas stafit, i kushtoi vendin e punës.
Ndërkohë, punonjësit apelojnë për ndërhyrje dhe mbështetje ligjore, si nga deputetët e zonës ashtu edhe nga drejtuesit politikë, duke kërkuar rishikimin e vendimit.
Vendimi për transferimin është miratuar më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ndërsa i gjithë procesi pritet të përmbyllet brenda fundit të këtij muaji.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



