E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Legalizimet/ Rregulli i 30 ditëve, hapini derën Kadastrës ose do iu mbyllet dosja
Lajme

Legalizimet/ Rregulli i 30 ditëve, hapini derën Kadastrës ose do iu mbyllet dosja

Qytetarët që nuk lejojnë punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) të kryejnë verifikimet dhe matjet në terren mund të përballen me përjashtimin e objektit nga procesi i legalizimit.

Ky është një nga mekanizmat e parashikuar në projektligjin që propozon ndryshime në ligjin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Drafti përcakton procedura të ndryshme në varësi të situatës, duke vendosur edhe afate konkrete për përfundimin e tyre.

Pengon verifikimin? Dosja mund të mbyllet

Në rastet e ndërtimeve pa leje, nëse poseduesi pengon punonjësit e ASHK-së që të kryejnë verifikimin dhe të përditësojnë të dhënat mbi gjendjen e objektit në terren, parashikohet përjashtimi i tij nga procesi i legalizimit.

Një tjetër procedurë parashikohet për objektet që nuk kanë titull pronësie dhe për truallin funksional që lidhet me to.

Në këtë rast, refuzimi për të lejuar matjet nuk sjell menjëherë mbylljen e procedurës. Fillimisht dosja pezullohet për 30 ditë.

Pas skadimit të këtij afati, punonjësit e Kadastrës kryejnë një verifikim tjetër në terren. Nëse poseduesi vijon të mos lejojë evidentimin e objektit, atëherë ai përjashtohet nga procedura e kalimit në pronësi dhe dosja mbyllet.

Po nëse poseduesi nuk gjendet?

Projektligji parashikon një procedurë të veçantë edhe për rastet kur nuk është e mundur të identifikohet poseduesi i një ndërtimi pa leje.

Në këtë situatë, ASHK duhet të publikojë njoftimin përkatës në njësinë administrative, në drejtorinë vendore dhe në faqen zyrtare të institucionit.

Nëse brenda 90 ditëve nuk paraqitet asnjë person që të provojë posedimin e objektit, Kadastra vendos moslegalizimin e tij.

Pas kësaj, njoftohen edhe strukturat përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin e territorit.

Një tjetër afat 30-ditor për legalizimet e përshpejtuara

Drafti sjell edhe një mekanizëm tjetër me afat 30-ditor, i cili lidhet me parcelat për të cilat është miratuar një leje zhvillimi ose leje ndërtimi.

Në këto raste, autoriteti përgjegjës për territorin mund t’i kërkojë ASHK-së që procedura e legalizimit të përfundojë brenda 30 ditëve, kundrejt pagesës së një tarife shtesë.

Kur për objektin ekziston një aplikim nga poseduesi, kërkohet edhe autorizimi i tij për vijimin e kësaj procedure të përshpejtuar.

Por drafti parashikon mundësinë që kërkesa të bëhet edhe kur për ndërtimin pa leje nuk është paraqitur asnjë aplikim.

Në një situatë të tillë, ASHK-ja kryen vetë evidentimin në terren dhe, pas përfundimit të procedurës, i komunikon autoritetit përgjegjës vendimin e marrë.

Kjo procedurë nuk nënkupton se ndërtimi pa leje do të legalizohet automatikisht. Qëllimi është që brenda afatit të përcaktuar të merret një vendim përfundimtar për statusin e objektit.

Synimi: të mos bllokohen projektet e reja

Ndryshimet synojnë të adresojnë rastet kur ndërtime informale vijojnë të mbajnë të bllokuara parcelat ku janë planifikuar projekte të reja zhvillimi apo ndërtimi.

Në këtë mënyrë, drafti parashikon një procedurë më të shpejtë për trajtimin e dosjeve, ndërsa për poseduesit që pengojnë verifikimin në terren vendosen pasoja konkrete deri te përjashtimi nga legalizimi ose përfundimi i procedurës së kalimit në pronësi.

Ndryshimet janë ende pjesë e projektligjit dhe nuk kanë hyrë në fuqi. Ato do të zbatohen vetëm nëse miratohen në formën përfundimtare dhe hyjnë në fuqi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.