Mali i Zi si shembull dhe drejtësia shqiptare ‘lakuriq me duar në xhepa’
Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë dënohet me 10 vite burg
Duhet të kthejë paratë e vjedhura
Vendimi i drejtësisë malazeze për të dënuar me 10 vite burg ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Vesna Medenica, po shihet si një shembull i qartë i ndëshkimit real të korrupsionit në nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë, duke nxjerrë në kontrast të plotë situatën në Shqipëri, ku pandëshkueshmëria mbetet rregull dhe jo përjashtim.
Gjykata e Lartë e Malit të Zi e shpalli Medenicën fajtore për dy raste të ndikimit të paligjshëm në drejtësi, të lidhura me marrjen e parave dhe manipulimin e vendimeve gjyqësore. Përveç dënimit me burg, ajo dhe të pandehurit e tjerë janë detyruar të kthejnë mbi 2.7 milionë euro dëm të shkaktuar shtetit, ndërsa u janë vendosur edhe gjoba të rënda financiare.
Po ashtu, djali i saj, Miloš Medenica, u dënua me mbi 10 vite burg për krijim organizate kriminale, kontrabandë dhe pengim të drejtësisë, duke vulosur një vendim që dërgon mesazhin se në Mal të Zi edhe figurat më të fuqishme nuk janë mbi ligjin.
Ndryshe paraqitet panorama në Shqipëri. Pavarësisht presionit të vazhdueshëm dhe thirrjeve të drejtpërdrejta nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian për ndëshkimin penal të gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga procesi i vettingut, asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në burg. Po ashtu, askujt nuk i është kërkuar kthimi i pasurive të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Deri më sot, rasti i vetëm me një dënim të konsiderueshëm mbetet ai i ish-ministrit Lefter Koka, i cili u dënua me 10 vite burg, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe u lirua nga qelia. Asnjë tjetër zyrtar i lartë nuk ka marrë një dënim shembullor, ndërsa konfiskimi i pasurive mbetet një praktikë thuajse inekzistente.
Shembulli i vetëm në sistemin e drejtësisë shqiptare është ai i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i dënuar përfundimisht vetëm me kusht. Ndërkohë, dhjetëra ish-gjyqtarë dhe prokurorë me pasuri marramendëse dhe të pajustifikuara sot shfaqen si deputetë, avokatë të pasur, pedagogë apo figura me ndikim në media.
Në këtë panoramë, shembulli i Malit të Zi e nxjerr drejtësinë shqiptare “lakuriq me duar në xhepa”, duke thelluar perceptimin publik se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri mbetet më shumë retorikë sesa vullnet real për ndëshkim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



