Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder (S&D, Austri), ka komentuar nga Tirana çështjen që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila prej ditësh është në qendër të vëmendjes politike dhe të sistemit të drejtësisë.
I pyetur nga gazetarët nëse shtyrja e procedurave për mandatin e Ballukut do të reflektohet në raportet e Parlamentit Evropian, Schieder theksoi se PE nuk ndërhyn dhe nuk komenton çështje juridike apo ligjore, duke nënvizuar se përgjegjësia u takon institucioneve shqiptare.
Ai tha se gjatë vizitave në Shqipëri informohet si nga media, ashtu edhe nga aktorë të ndryshëm politikë dhe institucionalë, por qëndrimi i Parlamentit Evropian mbetet i pandryshuar: respektimi i pavarësisë së institucioneve dhe ndarja e qartë e pushteteve.
Sipas Schieder, SPAK duhet të vijojë punën e tij në mënyrë të pavarur, duke kryer hetimet dhe veprimet që i konsideron të nevojshme, ndërsa institucionet e tjera duhet ta mbështesin këtë proces. Ai rikujtoi se Parlamenti Evropian ka qenë i qartë në qëndrimin e tij për mbështetjen e plotë ndaj punës së SPAK-ut.
Sa i përket Kuvendit të Shqipërisë, raportuesi i PE-së shprehu besimin se diskutimet dhe vendimmarrjet do të zhvillohen në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat ligjore. Ai shtoi se çështje të tilla fillimisht shqyrtohen në komisionet përkatëse dhe më pas kalojnë në seancë plenare për vendimmarrje.
Schieder theksoi se kjo praktikë nuk është e ndryshme nga ajo e parlamenteve të vendeve të tjera evropiane, përfshirë edhe parlamentin austriak, ku ai ka pasur përvojë të gjatë parlamentare. Sipas tij, në disa raste vendimet merren shpejt, ndërsa në raste të tjera kërkohet kohë për një shqyrtim të kujdesshëm të dosjeve.
Në fund, ai bëri me dije se ka mësuar se ende nuk ka përfunduar afati ligjor për këtë çështje dhe për këtë arsye nuk është momenti për komente të mëtejshme. Schieder shtoi se aktorët parlamentarë e kanë siguruar se janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre institucionale dhe do të veprojnë në përputhje me to.







