Artan Hoxha: Asgjë nuk e shpëton Ballukun nga përballja me drejtësinë
Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se, pavarësisht përpjekjeve institucionale për ta zvarritur procesin, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk mund ta shmangë përballjen me drejtësinë.
Hoxha u shpreh se edhe në rast se skadojnë afatet tre mujore të kërkesës së SPAK për masën e sigurisë, Prokuroria e Posaçme ka të drejtë ligjore të depozitojë një kërkesë të re me të njëjtin objekt. Sipas tij, procedurat aktuale nuk e zhbëjnë çështjen dhe as nuk e mbyllin dosjen.
Gazetari theksoi se shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për masën e sigurisë nuk janë hapa neutralë, por sinjale politike që, sipas tij, synojnë t’i japin kohë kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës. Ai e cilësoi këtë sjellje si një formë presioni indirekt ndaj SPAK-ut.
Sipas Hoxhës, mesazhi që po përcillet është përcaktimi i “vijave të kuqe” për Prokurorinë e Posaçme, por kjo, sipas tij, nuk e ndryshon thelbin e çështjes dhe nuk e përjashton përgjegjësinë penale të zv.kryeministres.
Duke komentuar klimën mediatike, Hoxha deklaroi se në disa studio televizive i është kërkuar të tregojë kujdes kur flet për Ballukun, çka sipas tij e vendos vendin në një situatë absurde. Ai ironizoi faktin se Shqipëria ka një numër dy të qeverisë që, sipas tij, “nuk kalon dot Qafën e Thanës”, ndërsa institucionet justifikohen me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Gazetari sqaroi se çështja në Kushtetuese lidhet vetëm me masën e sigurisë dhe nuk ka asnjë lidhje me kërkesën e SPAK për autorizim nga Kuvendi. Ai kujtoi se kërkesa është firmosur në ditët e fundit të mandatit nga kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe është mbrojtur në Kuvend nga përfaqësues të Prokurorisë, duke theksuar se kjo procedurë mbetet e vlefshme.
Sipas tij, gjithçka që po ndodh aktualisht i shërben vetëm fitimit të kohës, duke krijuar hapësirë që aktorë të caktuar të marrin masa politike, por nuk e shpëton Ballukun nga procesi penal. Hoxha nënvizoi se zv.kryeministrja është tashmë e pandehur dhe se e vetmja rrugë që mund ta pastrojë juridikisht është një vendim përfundimtar në gjykim.
Në përfundim, Hoxha u shpreh në emisionin “Kjo Javë” se përfituesi real i kësaj situate është kryeministri Rama dhe mazhoranca, ndërsa Balluku, sipas tij, po përpiqet vetëm të shtyjë momentin e përballjes me drejtësinë, pa mundur ta shmangë atë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



