Kushtetuesja mblidhet sot për ankimimin për pezullimin e Ballukut
Gjykata Kushtetuese pritet të japë këtë të martë vendimin e saj për çështjen e njohur si “Balluku”, një dosje që ka ngjallur interes të lartë juridik dhe politik. Tetë anëtarët e trupës gjykuese do të mblidhen në Dhomë Këshillimi, në një seancë të drejtuar nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.
Kjo është hera e dytë që çështja shqyrtohet në dhomë këshillimi. Në mbledhjen e zhvilluar javën e kaluar, gjyqtarët nuk arritën të formonin një qëndrim përfundimtar, duke vendosur shtyrjen e vendimmarrjes për një analizë më të thelluar.
Vendimi që pritet sot lidhet kryesisht me vlerësimin e ligjshmërisë së masës së pezullimit nga funksionet qeveritare të Belinda Ballukut, e vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Seanca aktuale pason mbledhjen e 27 janarit, ku u shqyrtua ankimi i qeverisë ndaj vendimit të GJKKO-së, por pa një konkluzion përfundimtar. Vendimmarrja e Kushtetueses konsiderohet kyçe, pasi do të ndikojë drejtpërdrejt në veprimtarinë e Këshillit të Mandateve.
Ky institucion ka vendosur të shtyjë mbledhjen e planifikuar për të mërkurën, ku parashikohej shqyrtimi i kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke pritur më parë qëndrimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese.
Çështja ka marrë vëmendje të veçantë publike, pasi shënon një precedent institucional: është rasti i parë kur një ministër pezullohet nga detyra pas një kërkese të SPAK-ut, duke hapur debat mbi kufijtë e kompetencave mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.
Qeveria ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës, i cili parashikon se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit. Sipas këtij qëndrimi, GJKKO nuk mund të marrë masë pezullimi ndaj një ministri pa autorizimin e Kryeministrit.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e SPAK-ut, prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë kundërshtuar këtë interpretim, duke argumentuar se pezullimi nga detyra nuk përbën kompetencë të Kryeministrit dhe se nuk ka konflikt institucional mes pushteteve.
Gjykata Kushtetuese pritet gjithashtu të qartësojë nëse në këtë rast ka pasur tejkalim kompetencash nga ana e pushtetit gjyqësor dhe nëse një ministër gëzon të njëjtin nivel imuniteti si një deputet në ushtrimin e funksionit të tij.
Kujtohet se në dhjetor të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash rikthimin e Belinda Ballukut në detyrën e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke shfuqizuar masën e pezullimit të vendosur më herët nga GJKKO. Sipas vendimit, vijimi i kësaj mase rrezikonte cenimin e interesave shtetërore dhe ushtrimin normal të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



