Përmbytjet në Durrës, Prokuroria ‘troket’ në dyert e Emiriana Sakos
Sekuestron dokumentacionin për tenderin e rehabilitimit të argjinaturës së lumit ‘Erzen’
Hetimet për ndërhyrjen në argjinaturën e lumit Erzen kanë marrë një drejtim të ri, pasi Prokuroria e Durrësit ka nisur zyrtarisht procedimin penal dhe ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentacionit në Bashkinë e Durrësit, pas përmbytjeve që prekën zonën e Sukthit.
Dyshohet se ndërhyrjet në argjinaturë janë kryer pa leje ndërtimi dhe pa studim teknik të miratuar, çka mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e situatës gjatë reshjeve dhe përmbytjen e disa fshatrave, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët.
Prokurorja pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, Suela Beluli, ka regjistruar procedimin penal për veprat “Shkatërrimi i pronës me përmbytje”, “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Hetimet janë vënë në lëvizje pas situatës së krijuar nga përmbytjet, urdhrit për evakuim dhe denoncimeve të shumta publike në media e rrjete sociale për ndërhyrjet në argjinaturën e lumit.
Me vendimin e datës 4 shkurt 2026, prokurorja ka urdhëruar sekuestrimin pranë Bashkisë Durrës të të gjithë dokumentacionit që lidhet me procedurat e prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të punimeve për rehabilitimin e argjinaturës, ngritjen e bankinës dhe sistemimin e lumit Erzen. Gjithashtu do të merren në administrim edhe dokumentet tekniko-ligjore që lidhen me lejen e ndërtimit për këtë objekt.
Sipas vendimit, sekuestrimi përfshin dokumentacionin e plotë të procedurave të prokurimit dhe të zbatimit të projektit, si dhe çdo akt që lidhet me miratimin e lejes së ndërtimit. Një kopje e vendimit do t’i vihet në dispozicion përfaqësuesve përgjegjës në Bashkinë e Durrësit, ndërsa ekzekutimi i sekuestrimit do të kryhet nga oficeri i policisë gjyqësore i caktuar për çështjen. Për çdo veprim do të hartohet procesverbal, i cili do t’i bashkëngjitet dosjes hetimore.
Ndërkohë, krahas hetimeve të prokurorisë së Durrësit, disa zyrtarë të bashkisë, mes tyre edhe kryetarja Emirjana Sako, janë kallëzuar në SPAK nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana.
Vendimi për sekuestrimin e dokumenteve vjen pas përmbytjeve të rënda në zonë, të cilat shkaktuan dëme të shumta materiale dhe raportime për viktima, duke nxitur hetimet për përgjegjësitë institucionale dhe ligjore në lidhje me projektin e rehabilitimit të argjinaturës së lumit Erzen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





