AMP aksion në Durrës, arrestohet një efektiv, hetohen dy të tjerë
Një punonjës i Policisë është arrestuar në flagrancë në Durrës, ndërsa dy efektivë të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë, pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Hetimi është zhvilluar në kuadër të një procedimi penal për dyshime për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Operacioni është finalizuar më 15 shtator 2026 nga Drejtoria Rajonale Durrës-Kavajë e AMP-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në përfundim të veprimeve hetimore, në flagrancë është arrestuar S. M., i cili ushtronte detyrën si pjesë e Trupës së Shërbimit të Patrullës së Përgjithshme.
Ndërkohë, nën hetim në gjendje të lirë janë proceduar edhe dy punonjës të tjerë të Policisë, të dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Sipas të dhënave të bëra publike nga AMP, bëhet fjalë për S. H., Specialist për Rendin në Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe A. K., pjesë e Trupës së Shërbimit të Patrullës së Përgjithshme në të njëjtin komisariat.
Çështja lidhet me procedimin penal nr. 100/2026, ku po hetohen veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, materialet e përgatitura nga hetuesit janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme të parashikuara nga ligji.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



