U vinte ‘gjobë’ punonjëseve, si përfundoi në pranga burri i Elisabeta Matajt
Policia e Durrësit ka arrestuar Feta Matajn, bashkëshortin e ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare, Filiali Durrës, Elisabeta Mataj. Ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, 44-vjeçari, banues në lagjen nr. 15 të Durrësit, dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Arrestimi është kryer nga specialistët për Krimet e Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të vendimit të gjykatës.
Dyshimet për pagesat mujore
Sipas burimeve të bëra publike në lidhje me hetimin, një punonjëse e Postës ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se Feta Mataj u kërkonte punonjëseve të filialit një shumë prej 25 mijë lekësh çdo muaj.
Dyshimet e ngritura nga hetuesit lidhen pikërisht me mënyrën se si kërkoheshin këto shuma dhe presionin e pretenduar ndaj punonjëseve.
Mataj kishte mbajtur më herët edhe një detyrë në administratën vendore. Ai ishte emëruar zëvendësdrejtor i ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit pranë Bashkisë Durrës, para se të përfshihej në këtë procedim penal.
Hetimi që përfshiu edhe bashkëshorten
Emri i Feta Matajt vjen në vëmendje në një moment kur edhe bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, ish-drejtoreshë e Postës Shqiptare në Durrës, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ajo është përfshirë në një hetim për dyshime mbi përvetësimin e fondeve në strukturat e Postës Shqiptare.
Sipas të dhënave të bëra publike, hetimi lidhet me dyshimet për vjedhjen në bashkëpunim përmes shpërdorimit të detyrës të rreth 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Feta Mataj ishte më herët në paraburgim që prej 18 korrikut, në kuadër të zhvillimeve të kësaj çështjeje, ndërsa tashmë ndaj tij është ekzekutuar një vendim i ri gjykate për “arrest në burg”, për një vepër tjetër penale.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



