Si projektohej pandemia globale në vitin 2015-2017 që pasoi me Covid-19
Email-et e Epstein
Publikimi i një sasie të madhe dokumentesh që lidhen me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe i ndarë nga jeta në vitin 2019, ka rikthyer në qendër të vëmendjes lidhjet dhe komunikimet e tij me figura të rëndësishme ndërkombëtare. Mes emrave të përmendur në këto materiale figuron edhe miliarderi amerikan Bill Gates.
Sipas materialeve të deklasifikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, në dosje përfshihet një email i datës 20 mars 2015 me titull “Preparing for Pandemics” (“Përgatitja për pandemitë”), i cili i ishte dërguar Epstein nga një person me identitet të fshirë në dokumentet zyrtare.
Mesazhi përmban një draft-agjendë për një takim të mundshëm mbi përgatitjen ndaj pandemive dhe sugjeron përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Në tekst theksohet nevoja për diskutime mbi hapat e mëtejshëm dhe mënyrën e përfshirjes formale të këtyre organizatave në iniciativa globale të shëndetit publik.
Sipas raportimeve të mediave ruse, përfshirë Izvestia, në dokumente përmenden komunikime dhe diskutime mes Epstein dhe Bill Gates lidhur me modelimin e pandemive dhe projekte të ndryshme biomjekësore. Këto raportime kanë nxitur spekulime se personi i paidentifikuar në emailin e vitit 2015 mund të ketë qenë vetë Gates.
Po sipas të njëjtave burime, mesazhi në fjalë thuhet se i ishte dërguar fillimisht Gates në vitin 2017 dhe më pas ishte përcjellë drejt Epstein. Dokumentet përmendin gjithashtu diskutime mbi simulimin e përhapjes së sëmundjeve në shkallë globale, kërkime në fushën e neuroteknologjisë dhe skenarë të mundshëm të shpërndarjes së infeksioneve, vite përpara shpërthimit të pandemisë COVID-19.
Në tetor të vitit 2019, Fondacioni Bill & Melinda Gates, në bashkëpunim me Qendrën për Sigurinë Shëndetësore në Johns Hopkins dhe Forumin Ekonomik Botëror, organizoi një ushtrim global simulues të njohur si “Event 201”, që trajtonte një skenar pandemie. Organizatorët kanë sqaruar vazhdimisht se bëhej fjalë për një stërvitje përgatitore dhe jo për parashikim apo planifikim të një pandemie reale.
Vetë Bill Gates ka pranuar më herët se kontaktet me Epstein përbënin një vendim të gabuar. Në një intervistë për CNN në vitin 2021, ai deklaroi se ishte takuar disa herë me Epstein me synimin për të siguruar mbështetje financiare për projekte filantropike, por më pas kishte kuptuar se kjo marrëdhënie ishte një gabim i madh.
Materiale të tjera të publikuara përfshijnë komunikime elektronike dhe fotografi që dëshmojnë kontakte shoqërore mes dy figurave. Deri tani, Gates nuk ka dhënë një reagim publik për pretendimet e reja që kanë dalë pas publikimit të dokumenteve.
Lidhja mes Gates dhe Epstein, e cila daton që nga viti 2011 – pas dënimit të Epstein për shfrytëzim të të miturve – ishte përmendur edhe më parë nga Melinda French Gates si një nga arsyet që ndikuan në ndarjen e tyre.
Autenticiteti i disa prej emaileve të publikuara mbetet ende i pakonfirmuar zyrtarisht.



Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



