E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kërkohen 45 vite burg për Thaçin dhe krerët e tjerë të UÇK-së
Bota

Kërkohen 45 vite burg për Thaçin dhe krerët e tjerë të UÇK-së

Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke theksuar se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk i atribuohet UÇK-së si strukturë.

Gjatë paraqitjes së saj në Gjykatën Speciale, West deklaroi se prokuroria kërkon një vendim fajësie për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një dënim të vetëm prej 45 vitesh, i bazuar në rolin dhe kontributin individual të secilit të akuzuar në krimet e pretenduara.

Sipas saj, akuzat lidhen me indikacione për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i cilësoi si tepër të rënda dhe që nuk e kanë humbur rëndësinë me kalimin e kohës.

Prokurorja pretendoi se rreth 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë keqtrajtuar në dhjetëra qendra ndalimi të lidhura me UÇK-në gjatë luftës në Kosovë. Ajo përmendi ekzistencën e mbi 50 kampeve të ndalimit, ku sipas prokurorisë janë kryer abuzime ndaj personave të konsideruar kundërshtarë ose bashkëpunëtorë të forcave serbe.

West argumentoi se çështja lidhet me përpjekjen e katër të akuzuarve për të fituar dhe ruajtur kontroll të plotë politik dhe ushtarak në Kosovë gjatë luftës. Sipas saj, çdo person që shihej si kundërshtar i këtij synimi, apo që nuk mbështeste UÇK-në, rrezikonte të përballej me ndalim, dhunë apo eliminim.

Ajo shtoi se ndër viktimat e pretenduara përfshiheshin edhe persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe. Sipas prokurorisë, këto veprime synonin forcimin e kontrollit dhe eliminimin e kundërshtarëve të perceptuar.

Prokurorja theksoi se procesi gjyqësor nuk është kundër UÇK-së si organizatë, por ndaj individëve të akuzuar për përgjegjësi personale në krimet e pretenduara. Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet pas përfundimit të fazës së argumenteve dhe vlerësimit të provave nga trupi gjykues.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.