E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
I përfishrë në dosjen e Balluku, Ram Geci përfundon në SPAK
Lajme

I përfishrë në dosjen e Balluku, Ram Geci përfundon në SPAK

Biznesmeni Ram Geci është paraqitur paraditen e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në një zhvillim që lidhet me hetimet e fundit të institucionit.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për arsyet e paraqitjes së tij, por emri i Gecit është përmendur më herët në dosjen hetimore që përfshin ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Sipas materialeve hetimore të zbardhura, në telefonin e sekuestruar “Blackberry” të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, janë gjetur komunikime që përmendin drejtpërdrejt biznesmenin Ram Geci. Në një bisedë të zhvilluar më 24 gusht 2021 përmes aplikacionit “WhatsApp”, Balluku i shkruan Berberit se “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”, një referencë që sipas hetimit dyshohet të lidhet me Kryeministrin.

Pak minuta më vonë, komunikimi vijon në aplikacionin “Signal”, ku diskutohet për një takim të zhvilluar dhe për një projekt që lidhej me infrastrukturën rrugore. Në këto mesazhe përmenden edhe vlera financiare të konsiderueshme për një procedurë që po përgatitej.

Sipas SPAK, nga verifikimet rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar, më 15 shtator 2021, shpalli procedurën e prokurimit për projektin “Ndërtim rruga Porto Romano–Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Më vonë, sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, në nëntor të atij viti u publikua njoftimi për vlerësimin e ofertave, ku fituese rezultoi shoqëria “Geci” sh.p.k.

Në vijim, kontrata për ndërtimin e këtij segmenti rrugor u lidh mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanisë “Geci” sh.p.k., e cila sipas të dhënave zyrtare ka si ortak të vetëm dhe administrator biznesmenin Ram Geci.

Paraqitja e tij në SPAK vjen në një moment kur hetimet për këtë çështje vijojnë dhe pritet të zbardhin më shumë detaje mbi komunikimet dhe procedurat që lidhen me tenderin në fjalë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.