E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK zbulon tender të manipuluar dhe favorizim të konsorciumit fitues
Lajme

SPAK zbulon tender të manipuluar dhe favorizim të konsorciumit fitues

Skandali me Aeroportin e Vlorës

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje të reja nga hetimi mbi procedurën koncesionare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, ku ngrihen dyshime serioze për favorizim të një bashkimi kompanish që në fazën e kualifikimit.

Sipas materialeve hetimore, ekzistojnë indicie që anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit kanë vepruar në bashkëpunim për të favorizuar konsorciumin e përbërë nga shoqëritë “Mabco Construction”, “Yda Group” dhe “2A Group”, duke e çuar atë drejt shpalljes fituese në kundërshtim me rregullat e garës.

Hetimi ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga kompania “Al-De Corporation LTD”, përfaqësuar nga shtetasi Aldi Celi. Pas pesë vitesh verifikime dhe veprime hetimore, SPAK ka arritur në përfundimin paraprak se procedura është shoqëruar me shkelje të rënda të standardeve ligjore.

Një nga problematikat kryesore lidhet me dokumentacionin e munguar apo të paplotë nga ana e operatorëve ekonomikë. Sipas dosjes, komisioni nuk ka evidentuar mungesën e akteve të domosdoshme për kualifikim, duke lejuar që bashkimi i kompanive të vijojë garën dhe më pas të shpallet fitues.

Nga hetimet rezulton se nuk është respektuar procedura për përfaqësimin ligjor të konsorciumit, pasi një prej kompanive pjesëmarrëse nuk ka paraqitur prokurën për përfaqësuesin që do të dorëzonte ofertën, një element thelbësor për vlefshmërinë e aplikimit.

Po ashtu, janë konstatuar mangësi në dorëzimin e dokumenteve financiare. Disa prej kompanive nuk kanë paraqitur bilancet dhe raportet e auditimit për vitet e kërkuara, duke cenuar kriteret bazë të transparencës dhe besueshmërisë financiare në një procedurë të tillë.

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me mungesën e dokumentacionit për përfituesit fundorë të aksioneve. Sipas SPAK, disa nga kompanitë pjesëmarrëse nuk kanë deklaruar strukturën e plotë të pronësisë, duke e bërë të paqartë identitetin e zotëruesve realë.

Në drejtim të kapaciteteve teknike, hetimet kanë nxjerrë në pah se kriteret e vendosura në tender nuk janë përmbushur plotësisht. Një prej kërkesave kryesore ishte që një nga kompanitë të provonte eksperiencë konkrete në ndërtimin e pistave, terminaleve dhe kullave të kontrollit ajror në një periudhë të caktuar kohore.

Megjithatë, dokumentacioni i paraqitur nuk e provon në mënyrë të plotë përmbushjen e këtyre kushteve. Në një rast, është dorëzuar dokumentacion për një aeroport në Kazakistan, por sipas hetimit, mungojnë prova konkrete për realizimin e një prej elementeve kryesore, siç është ndërtimi i kullës së trafikut ajror, duke u mbështetur vetëm në një konfirmim zyrtar pa dokumentacion teknik shoqërues.

Në përfundim të fazës aktuale të hetimit, Prokuroria e Posaçme u ka komunikuar akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”, kryer në bashkëpunim, shtatë anëtarëve të komisionit të koncesionit. Ata dyshohen se kanë ndikuar në mënyrë të padrejtë në kualifikimin dhe shpalljen fituese të konsorciumit në fjalë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbuluar nëse në këtë procedurë janë përfshirë edhe persona apo struktura të tjera, që mund të kenë ndikuar në vendimmarrje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.