SPAK jep konkluzionet për të ëmën e Kryemadhit dhe 2 të tjerë
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet për një fraksion të dosjes së njohur si “Meta”, ndërsa në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca ndaj disa të pandehurve të përfshirë në këtë çështje.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, si dhe Pirro Xhoixho dhe Ema Çoku.
Sipas SPAK, Fatime Kryemadhi nuk justifikon shuma të konsiderueshme parash, konkretisht 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, si dhe 100 mijë euro të deklaruara nga subjekti “Agi Kons” për shlyerje kredish. Po ashtu, sipas organit të akuzës, rezultojnë edhe 310 mijë euro të tjera të pajustifikuara.
Hetimet tregojnë se janë marrë dy kredi për blerjen e apartamenteve, por këto detyrime janë shlyer me para cash, për të cilat nuk ka burime të ligjshme të provuara. Një tjetër element i theksuar nga SPAK është fakti se deklaratat noteriale janë përpiluar pas marrjes në pyetje të Fatime Kryemadhit, duke ngritur dyshime mbi besueshmërinë e tyre.
Gjithashtu, personat që pretendohet se kanë dhënë hua në para cash nuk rezultojnë të kenë deklaruar shumat monetare në pikat e kalimit kufitar, duke krijuar mospërputhje të forta në deklarimet financiare.
Në lidhje me të pandehurën Ema Çoku, SPAK thekson se ajo ka pasur lidhje të ngushtë me Monika Kryemadhin, fakt i mbështetur nga komunikime të shpeshta dhe transaksione bankare. Sipas akuzës, Çoku ka deklaruar në mënyrë noteriale se i ka dhënë Fatime Kryemadhit një shumë prej 240 mijë eurosh.
Po ashtu, kompania në pronësi të saj rezulton të ketë mbuluar shpenzime të ndryshme, përfshirë faturat e hotelit për shtetas të huaj që kishin ardhur për të mbështetur LSI, si dhe kosto të eventeve të lidhura me LRI.
Megjithatë, sipas SPAK, Ema Çoku ka qenë debitore në bankat e nivelit të dytë për shkak të kredive në shuma të mëdha dhe në pamundësi financiare për të realizuar donacione të tilla. Prokuroria vlerëson se deklaratat e saj noteriale janë përdorur për të justifikuar veprimet financiare të të pandehurve të tjerë në këtë procedim.
Seanca në GJKKO pritet të vijojë me shqyrtimin e mëtejshëm të provave dhe qëndrimeve të palëve, ndërsa çështja konsiderohet një nga më të rëndësishmet në hetimet për korrupsion dhe pastrim parash në nivele të larta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



