Pezullohen inspektorët dhe përgjegjësi i IMT-së në Tiranë
Nuk denoncuan ndërtimin e paligjshëm
Tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Tiranë janë pezulluar nga detyra pas një hetimi të Prokurorisë që zbuloi mosveprime serioze lidhur me një ndërtim të paligjshëm në kryeqytet.
Bëhet fjalë për inspektorët e terrenit Egnant Musaj dhe Shkëlqim Gaçi, si dhe përgjegjësin e tyre Virgjil Shehaj, të cilët dyshohen se kanë shkelur detyrën duke mos evidentuar dhe raportuar në kohë një objekt të ndërtuar pa leje në zonën e Selitës.
Sipas organit të akuzës, hetimet zbuluan se tre zyrtarët nuk pasqyruan në dokumentacion faktin që në rrugën “Valentina Pistoli” po zhvilloheshin punime të paligjshme ndërtimi. Për më tepër, ata nuk informuan Kryeinspektorin për nevojën e marrjes së masave administrative që parashikon ligji në raste të tilla, si vendosja e gjobës, urdhri për prishjen e objektit dhe depozitimi i kallëzimit penal.
Nga verifikimet e kryera rezulton se ndërtimi pa leje kishte nisur që në 1 nëntor 2021 dhe kishte përfunduar më 19 prill 2025. Ndërkohë, një kontroll i ushtruar nga punonjësit e IMT-së më 2 prill 2025 nuk u pasua me veprimet e nevojshme ligjore, çka sipas Prokurorisë përbën elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, i kryer në bashkëpunim.
Procedimi penal i regjistruar gjatë vitit 2025 evidentoi se mosveprimi i zyrtarëve të IMT-së lejoi vijimin e ndërtimit të paligjshëm, duke mos zbatuar detyrimet që burojnë nga funksioni i tyre publik. Në këto kushte, Prokuroria vlerësoi se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për përgjegjësi penale të tyre.
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurimit “pezullim nga ushtrimi i detyrës apo shërbimit publik” për tre zyrtarët, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



