Elisa Spiropali në ballo luksi me 40 mijë € të taksapaguesve
Ndërsa diplomacia matet zakonisht me marrëveshje strategjike dhe peshë politike, prania e ministres shqiptare Elisa Spiropali në Ballon e Operas së Vjenës (Opernball) është kthyer në një temë debati etik dhe financiar në mediat evropiane. Ajo që duhej të ishte një mbrëmje prestigji dhe protokolli diplomatik po përshkruhet nga vëzhguesit si një “shfaqje vaniteti”, me një kosto që përllogaritet të paktën 40 mijë euro për taksapaguesit austriakë.
Media austriake dhe ajo zvicerane kanë reaguar me ironi ndaj vendimit të ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger, për të ftuar Spiropalin si zëvendësuese, pasi i ftuari fillestar, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, refuzoi pjesëmarrjen.
Sipas raportimeve, lozha private e rezervuar për këtë event luksoz financohet nga buxheti i përfaqësimit i Ministrisë së Jashtme austriake. Kostoja minimale për një lozhë me shërbim përllogaritet rreth 40 mijë euro, ndërsa në shumë raste shpenzimet mund të arrijnë edhe dyfishin, duke përfshirë ushqimin, pijet dhe shërbimet e tjera.
Vëzhgues ndërkombëtarë e kanë cilësuar këtë zhvillim si një diplomaci që vuan nga “mungesa e gravitetit”. Në një kohë kur Shqipëria kërkon seriozitet institucional dhe avancim të agjendës europiane, prania e një ministreje shqiptare në një event mondan luksi po shihet më shumë si element dekorativ sesa si arritje diplomatike konkrete.
Debati bëhet edhe më i mprehtë kur krahasohet me zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Ndërkohë që në Tiranë pritet të diskutohet reforma në shërbimin e jashtëm dhe profesionalizimi i diplomacisë, emri i ministres shqiptare po qarkullon në kronikat evropiane në një kontekst polemik për luks dhe etikë shpenzimesh.
Artikujt e mediave austriake theksojnë se fillimisht ftesa për Opernball ishte menduar për homologun amerikan Marco Rubio, por pas refuzimit të tij, vendi u plotësua nga ministra të jashtëm nga Shqipëria dhe Filipinet. Kjo zgjedhje ka habitur vëzhguesit, të cilët vënë në dyshim ndikimin real diplomatik të kësaj pranie.
Ironia shtohet nga fakti se vetëm pak muaj më parë, ministrja e Jashtme austriake kishte deklaruar publikisht angazhimin për kursime në administratë. Megjithatë, rezervimi i një lozhe luksoze në Opernball me fonde publike ka ndezur polemika të forta për etikën e shpenzimeve dhe simbolikën politike të këtij eventi.
Në sytë e kritikëve, rasti ngre pyetje mbi përmbajtjen reale të diplomacisë moderne: nëse marrëdhëniet ndërkombëtare po ndërtohen mbi protokoll dhe spektakël, apo mbi rezultate konkrete dhe peshë politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



