Qiratë ‘prekin qiellin’/ Çatia mbi kokë, një luks për shqiptarët

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Inflacioni në vend ka shënuar një rritje të lehtë në fillim të vitit 2026, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm mbi kostot e jetesës, veçanërisht për banesat dhe shpenzimet e lidhura me to.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT më 12 shkurt, norma vjetore e inflacionit në janar 2026 arriti në 2,3%, nga 1,9% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahasuar me dhjetorin 2025, çmimet e konsumit u rritën me 0,4%, duke konfirmuar një tendencë graduale rritjeje.

Presioni kryesor mbi buxhetet familjare vijon të vijë nga qiratë dhe shpenzimet për banesën. Në Tirana, rritja e qirave lidhet me zgjerimin e qiradhënies afatshkurtër në platformat online dhe me faktin që një pjesë e apartamenteve mbahen jashtë tregut për qëllime investimi, në pritje të çmimeve më të larta.

Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në rritjen vjetore e dha grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me një kontribut prej +0,87 pikë përqindje. Në vend të dytë renditet grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,61 pikë përqindje.

Rritje të ndjeshme kontribuuan edhe kategoritë “Mobilje dhe mirëmbajtje shtëpie” si dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, secila me nga +0,14 pikë përqindje. Pas tyre vijnë “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,13 pikë përqindje dhe “Kujdes personal dhe shërbime të ndryshme” me +0,11 pikë përqindje. Ndikime më të vogla u regjistruan në argëtim, shërbime financiare, arsim dhe transport.

Në terma vjetorë, rritjen më të lartë e shënoi grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4,9%. Pas tij vijnë “Qira, ujë, energji” dhe “Sigurime e shërbime financiare” me nga 4,4%. “Pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 2,7%, ndërsa “Kujdesi personal” me 2,6%. Restorantet dhe akomodimi u rritën me 2,4%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1,8%.

Në krahasim me dhjetorin 2025, rritja mujore më e fortë u regjistrua te “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,2%, e ndjekur nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%. Ndërkohë, ulje pati te “Veshje dhe këpucë” me 0,5% dhe te grupi i qirave dhe energjisë me 0,4%.

Të dhënat tregojnë se, edhe pse inflacioni mbetet në nivele të moderuara, pesha e qirave dhe shpenzimeve të banesës vazhdon të jetë faktori kryesor që rëndon mbi buxhetet familjare, sidomos në kryeqytet.

Publikuar nga Publik Media