E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kaosi rrugor në juglindje: Bizneset drejt falimentit, turistët largohen
Lajme

Kaosi rrugor në juglindje: Bizneset drejt falimentit, turistët largohen

12 pacientë që marrin trajtim për dializë mbeten të bllokuar

Bllokimi i disa akseve rrugore që lidhin juglindjen e vendit me pjesën tjetër të Shqipërisë po shkakton pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi dhe në jetën e përditshme të banorëve. Vështirësitë në qarkullim kanë ndikuar në furnizimin me mallra, rritjen e kostove të transportit dhe në uljen e aktivitetit turistik në zonë.

Tregtarët shprehen se koha e transportit është zgjatur ndjeshëm për shkak të devijimeve dhe kufizimeve në qarkullim. Si pasojë, furnizimet po mbërrijnë me vonesë dhe shpenzimet e transportit janë rritur, çka po reflektohet edhe në çmimet për konsumatorët.

“Vonesa ka sa të duash. Ka raste që për furnizimin flenë andej. Me bllokimin që ndodhi është katastrofë. Nëse nuk hapet rruga do detyrohemi të rrimë pushim”, shprehet një nga tregtarët.

Një tjetër thekson se situata ka rënduar ndjeshëm për bizneset. Sipas tij, për shkak të devijimeve, transporti kryhet përmes itinerarit Përmet–Tepelenë, duke e zgjatur shumë rrugën dhe duke dyfishuar koston e transportit.

“Na ka ndikuar shumë, nuk ku shkon më keq se kaq. Nuk lëvizim fare nga Gramshi, vetëm nga Përmeti–Tepelenë. Është rrugë shumë e gjatë dhe kostoja është dyfish. Kjo ka ndikuar edhe në çmimet e produkteve që shesim. Rruga vajtje-ardhje zgjat rreth 12 orë dhe trafiku është shumë i madh sepse është alternativa e vetme. Nëse kjo situatë vazhdon, do mbetemi pa punë”, shprehet ai.

Pasojat janë ndjerë edhe në sektorin e turizmit, veçanërisht në Korçë dhe Pogradec, ku operatorët turistikë raportojnë anulime të shumta rezervimesh në hotele dhe bujtina. Edhe restorantet flasin për një rënie të ndjeshme të xhiros ditore. Sipas tyre, pasiguria në qarkullim dhe zgjatja e kohës së udhëtimit nga zona e Gramsh kanë bërë që shumë vizitorë të heqin dorë nga udhëtimet.

“Rreth 70 për qind e rezervimeve janë anuluar dhe njëjtë ka ndodhur edhe në restorant. Kemi pasur rënie të të ardhurave këto ditë. Duhet të rregullohen rrugët, është hera e tretë këtë sezon që ndodh një situatë e tillë”, shprehet një operator turistik.

Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse situata vazhdon, një pjesë e bizneseve mund të detyrohen të mbyllen, pasi kostot janë rritur ndjeshëm dhe po bëhen të papërballueshme.

Ndërkohë, një situatë edhe më alarmante është regjistruar paraditen e sotme në aksin rural Hotolisht–Dragostunjë. Dymbëdhjetë persona nga zona të ndryshme të Prrenjas, të cilët duhet të kryenin trajtim jetik dialize në Spitali Rajonal i Elbasanit, mbetën të bllokuar për shkak të gjendjes së rëndë të rrugës.

Segmenti është i amortizuar, me gropa, baltë dhe pjesë të dëmtuara, çka e ka bërë pothuajse të pamundur lëvizjen e automjeteve. Udhëtimi drejt daljes në rrugën kombëtare pranë Librazhd është kthyer në një përballje të vështirë me terrenin dhe kohën.

Pacientët që varen nga dializa për jetën e tyre përjetuan momente ankthi, pasi çdo minutë vonesë për ta përbën një rrezik real për shëndetin. Sipas burimeve nga zona, ndërhyrja e institucioneve në momentin kritik ka munguar.

Në ndihmë të tyre kanë ndërhyrë banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore arritën të hapin përkohësisht rrugën dhe të mundësojnë kalimin e automjeteve, duke shmangur një situatë edhe më të rëndë.

Ngjarja nxjerr në pah gjendjen problematike të infrastrukturës rurale dhe mungesën e një plani emergjent për rastet kur akset kryesore apo alternative bëhen të pakalueshme.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për sistemimin e aksit Hotolisht–Dragostunjë si dhe të segmentit Spathar – Rruga Antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht, duke garantuar kalueshmërinë e tyre, veçanërisht në raste emergjencash shëndetësore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.