‘Diss’ Xhensilës? ‘Rrëfimi’ i Bes Kallakut po bënë namin në rrjet
Aktori dhe këngëtari Bes Kallaku ka prezantuar projektin e tij më të ri muzikor me titull “Rrëfimi”, një këngë që po komentohet gjerësisht në rrjetet sociale jo vetëm për aspektin artistik, por edhe për mesazhin personal që përcjell.
Që në titull, projekti sugjeron një qasje të drejtpërdrejtë dhe intime. Teksti, i shkruar nga vetë artisti, duket si një reflektim mbi periudhat e vështira, keqkuptimet dhe presionin publik që kanë shoqëruar jetën e tij personale gjatë viteve të fundit.
Edhe pse në këngë nuk përmenden emra konkretë, shumë ndjekës kanë vënë re vargje që interpretohen si një referencë ndaj marrëdhënies së tij me ish-bashkëshorten, Xhensila Myrtezaj.
“Janë thënë ç’a s’janë thënë,
Por hiç s’i përfilli,
Mes meje e teje,
Dihet kush është thëngjilli.”
Këto rreshta janë parë nga publiku si një reagim ndaj aludimeve dhe diskutimeve që kanë qarkulluar gjatë ndarjes së tyre, një histori që për një kohë të gjatë ka qenë në qendër të vëmendjes së showbiz-it shqiptar.
Në një tjetër pjesë të këngës, artisti duket se flet hapur për një periudhë të vështirë personale:
“U zhyta edhe n’vese,
Po, po, e vërtetë,
Por a m’pyeti njeri:
O Bes, ç’a ke, pse nuk flet?”
Vargje që lënë të kuptohet një ndjenjë vetmie dhe mungesë mirëkuptimi nga rrethi përreth, duke e shndërruar këngën në një formë rrëfimi publik dhe reflektimi personal.
Ndërkohë, në jetën private të artistit duket se ka nisur një kapitull i ri. Së fundmi, Bes Kallaku është parë në një lidhje të re me një vajzë të quajtur Ejona, duke sinjalizuar se pas periudhës së vështirë, ai po hyn në një fazë të re të jetës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



