E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bllokimi i rrugëve, rritet çmimi i biletës Tiranë-Korçë
Lajme

Bllokimi i rrugëve, rritet çmimi i biletës Tiranë-Korçë

Çmimi i biletës për udhëtimin ndërqytetas mes Korçë dhe Tiranë është rritur ndjeshëm ditët e fundit. Qytetarët që udhëtojnë në këtë linjë po paguajnë tashmë 1000 lekë për një biletë, nga 700 lekë që ishte tarifa e mëparshme.

Rritja e çmimit lidhet me bllokimin e aksit Librazhd–Prrenjas, i cili ka detyruar mjetet e transportit publik të devijojnë qarkullimin përmes Gramsh. Ky itinerar alternativ është më i gjatë dhe konsiderohet më problematik për qarkullimin, për shkak të amortizimit të rrugës dhe vështirësive që paraqet për mjetet.

Qytetarët: Çmimi i ri është i papërballueshëm

Shumë qytetarë shprehen të shqetësuar për rritjen e tarifës, duke theksuar se kostoja e re është e vështirë për t’u përballuar, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta që udhëtojnë drejt kryeqytetit për punë, studime apo shërbime shëndetësore.

Një pensionist thotë se me të ardhurat që merr, një tarifë e tillë e bën pothuajse të pamundur udhëtimin drejt Tiranës, edhe kur bëhet fjalë për vizita në spital apo çështje familjare.

“Se përballojmë dot, jemi pensionistë. Kishim për të vajtur në Tiranë e s’vemë dot. Si t’ia bëjmë? Do rrimë, kur të hapen rrugët do shkojmë. Kemi për të shkuar në spital, kemi njerëz andej, për gëzime, për vdekje, për çdo gjë. E dimë si është edhe rruga e Gramshit se unë jam nga ajo zonë. Ai që shkon duhet ta mendojë mirë”, shprehet ai.

Shoferët: Rruga alternative është e rrezikshme

Edhe drejtuesit e mjeteve të transportit publik e konsiderojnë të vështirë qarkullimin në itinerarin alternativ. Sipas tyre, rruga përmes Gramshit është problematike dhe shkakton dëmtime të shpeshta në mjete, duke rritur ndjeshëm kostot për karburant dhe mirëmbajtje.

Një shofer autobusi thotë se udhëtimi në këtë segment kërkon shumë kujdes dhe shpesh zgjat më tepër se zakonisht.

“Rruga e Gramshit mos të të çojë Perëndia. Ika pardje në darkë për në Tiranë dhe e kemi bërë pesë orë. Isha me makinë të vogël dhe po të ishte mjeti im nuk do ta çoja në atë rrugë. Bileta është e lartë, por edhe ata kanë hallin e tyre. Vetë jam shofer autobusi dhe e di si është puna. Edhe me makinë të vogël dy herë bëra gomën”, tha ai.

Frika se çmimi mund të mbetet i përhershëm

Qytetarët shprehin gjithashtu shqetësimin se rritja e çmimit mund të mos jetë e përkohshme. Sipas tyre, ekziston rreziku që tarifa prej 1000 lekësh të mbetet në fuqi edhe pas rihapjes së aksit të bllokuar.

Ata kërkojnë ndërhyrjen dhe monitorimin e institucioneve përkatëse për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar që çmimet e biletave të jenë të përballueshme për qytetarët.

“Asgjë s’përballojmë dot. Shumë keq është, por s’kemi ç’të bëjmë. Çdo gjë që rritet nuk ulet më, sepse nuk ka kontrolle. Në këtë vend nuk jetojmë dot”, tha një qytetar.

Një tjetër pensionist shton se me pensionin që merr, rreth 130 mijë lekë të vjetra, udhëtimi drejt Tiranës është bërë i pamundur.

“Me këtë pension që marr unë nuk e përballoj dot. Ata që duhet të shkojnë në Tiranë e dinë mirë çfarë heqin. Herën e fundit që shkova, ra një gur në rrugë dhe shoferi mezi shpëtoi”, tregoi ai.

Ndërkohë, sipas shoferëve, zgjatja e kohës së udhëtimit, rritja e konsumit të karburantit dhe amortizimi i mjeteve kanë sjellë kosto shtesë, të cilat janë reflektuar në çmimin e biletës. Deri në stabilizimin e situatës në aksin Librazhd–Prrenjas, udhëtarët drejt Tiranës pritet të përballen me një itinerar më të gjatë dhe me tarifa më të larta.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.