Plas brenda PS-së, deputeti i del kundër Ramës për dhunën në Rrjoll
Situata në zonën e Rrjoll, pranë Velipojë, vijon të mbetet e tensionuar prej javësh, ndërsa banorët e zonës po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në tokat që pretendojnë se u përkasin atyre.
Banorët kanë denoncuar se gjatë protestave janë përballur me ndërhyrje të ashpër të policisë. Sipas tyre, forcat e rendit janë vendosur në mbrojtje të projektit turistik që lidhet me biznesmenin Bashkim Ulaj, ndërsa ata pretendojnë se pronat e tyre janë marrë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Përveç protestave në terren, banorët kanë dërguar edhe letra të hapura institucioneve qendrore në vend, si dhe përfaqësive diplomatike. Ata kanë depozituar gjithashtu kallëzime pranë SPAK dhe në Prokurorinë e Shkodrës, duke kërkuar hetim për çështjen e pronësisë.
Sipas banorëve, gjatë ditëve të fundit dhjetëra efektivë policie të pajisur me skafandra dhe mburoja kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestat dhe për të garantuar vijimin e punimeve për resortin turistik “Blue Borgo”, projekt që po zhvillohet pranë zonës së njohur si Rana e Hedhun.
Në mbështetje të banorëve ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Pacaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka publikuar një video ku shfaqen momente përplasjeje mes policisë dhe banorëve, duke e cilësuar ndërhyrjen si të papranueshme.
“Po kjo?! Si mundet me ndodhë?! Absolutisht e tepërt, shumë. Dënoj dhe e përçmoj goditjen me grushta dhe shkelma kundër banorit dhe banorëve të Rrjollit. Akt i papranueshëm, vandal dhe bandit. Këto probleme nuk zgjidhen me dhunë e brutalitet, por me drejtësi dhe me institucione legjitime, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme që garanton Kushtetuta”, shkruan deputeti.

Pacaj konsiderohet deri tani si i vetmi ligjvënës i mazhorancës që ka reaguar publikisht për këtë situatë, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohet konflikti mes banorëve dhe autoriteteve.
Ndërkohë, banorët e Rrjollit janë shprehur të vendosur të vazhdojnë protestat e tyre, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe njohjen e pronësisë mbi tokat që pretendojnë se u përkasin. Ata theksojnë se nuk janë kundër zhvillimit turistik të zonës, por kundërshtojnë atë që e cilësojnë si grabitje të pronës së tyre.
https://www.facebook.com/watch/?v=1542038823761706
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



