Rama gati goditjen në kupolën e Policisë së Shtetit, ikën Ilir Proda?
Pas ristrukturimit të qeverisë, kryeministri Edi Rama pritet të ndërhyjë edhe në drejtimin e Policia e Shtetit. Sipas informacioneve, gjatë prezantimit të ministrit të ri të Brendshëm, Besfort Lamallari, kryeministri do të artikulojë kritika ndaj kupolës së policisë, me fokus te mungesa e lojalitetit.
Në qendër të ndryshimeve do të jetë edhe drejtori i përgjithshëm Ilir Proda. Lëvizjet interpretohen si përpjekje për të konsoliduar kontrollin politik mbi strukturat e sigurisë, në një moment tensioni me SPAK dhe hetime të ndjeshme pranë mazhorancës.
Pas kirurgjisë së plotë që i bëri qeverisë së tij, Rama pritet që javën tjetër të kryejë edhe një operacion të fortë në një agjenci të rëndësishme të shtetit. Menjëherë pas dekretimit të ministrave të rinj dhe betimit para presidentit, pritet një furtunë e dytë.
Kryeministri ka planifikuar që të prezantojë personalisht ministrin e ri të Brendshëm, Lamallari, dhe në atë mjedis pritet t’i lëshojë një “dush të ftohtë” kupolës së policisë.
Fabulën, mësohet se e ka zgjedhur me dinakëri: të akuzojë strukturën drejtuese se nuk është treguar luajale me ish-ministren e Brendshme Albana Koçiu, duke e lënë vetëm dhe pa mbështetje në punën e saj.
Gjuha e Ramës pritet të jetë e ashpër për të justifikuar një katharsis të vërtetë në kupolën e Policisë së Shtetit, ku pritet një spastrimi i madh. Koka e parë që mund të “pritet” është ajo e kryepolicit Ilir Proda, i cili u vendos në detyrë përpara zgjedhjeve të 11 majit dhe sipas të gjitha gjasave e ka plotësuar mandatin që kishte menduar kryeministri.
Sipas burimeve, në momentin kur një drejtues i lartë nis të formësojë hapësirën e vet të influencës në institucion, Rama preferon të presë “rrënjët e fidanëve” për të mos krijuar qendra të reja fuqie.
Ndërkohë, shkaku i vërtetë i ndryshimeve lidhet me frikën e shtuar në raport me bashkëpunimin e mundshëm mes policisë dhe SPAK-ut për rrjedhje informacioni apo mbështetje logjistike në hetime.
Sipas analizave, Rama kërkon ta kthejë Policinë e Shtetit në një lloj “garde pretoriane”, e cila në rast krizash politike do të qëndrojë në front të hapur në mbrojtje të pushtetit.
Në këtë kontekst përmendet edhe sulmi verbal i mëparshëm i kryeministrit ndaj Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilët i cilësoi si “trimoshët e BKH me patllake”, një sinjal i drejtpërdrejtë për tensionin mes institucioneve.
Drejtori i ri i policisë pritet të jetë një figurë shumë e besuar e kryeministrit, me detyrë kryesore kontrollin e çdo informacioni që qarkullon drejt dhe nga prokurorët, sidomos në çështje që lidhen me investime, troje, ndërtime apo transaksione të mëdha ekonomike.
Një nga episodet që ka rritur tensionin lidhet me një aksion të SPAK pranë një kompanie call-centeri pranë Partia Socialiste, i cili u krye në bashkëpunim me struktura të policisë, por pa dijeninë e ministres Koçiu. Ky episod thuhet se e ka irrituar kryeministrin.
Megjithatë, Rama njihet për rrjete paralele informacioni brenda institucioneve shtetërore dhe zakonisht informohet për zhvillimet edhe përtej kanaleve zyrtare.
Frika e tij lidhet me një “rrëshqitje toke” brenda strukturave të policisë, përmes rrjedhjes së informacionit drejt ndërkombëtarëve apo institucioneve të tjera hetimore. Në Shqipëri prej dekadash oficerë policie kanë qenë shpesh objekt interesi për shërbime të ndryshme të huaja, përmes kontakteve diplomatike apo aktiviteteve informale.
Për këtë arsye, sipas burimeve, pritet të vendosen kufizime edhe për takimet e oficerëve të lartë me diplomatë apo kolegë të huaj.
Në një situatë të qetë, Rama vështirë se mund të qeverisë pa u përballur me kërkesa për llogaridhënie. Në një situatë tensioni, sipas kritikëve, frika dhe propaganda bëhen instrumentet kryesore të pushtetit./pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



