E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë ndodhi? Moderatori Florian Agalliu paditet në gjykatë nga RTSH
Lajme

Çfarë ndodhi? Moderatori Florian Agalliu paditet në gjykatë nga RTSH

Një konflikt ligjor mes moderatorit Florian Agalliu dhe Radio Televizioni Shqiptar ka marrë një kthesë të papritur, pasi nga paditës ai ka përfunduar tashmë në rolin e të paditurit.

Sipas informacioneve të bëra publike nga RTSH, institucioni ka depozituar një padi në Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke e akuzuar moderatorin për mashtrim gjatë një procesi gjyqësor që ai vetë kishte nisur kundër televizionit publik.

Agalliu kishte pretenduar në gjykatë se kishte qenë punonjës i RTSH-së dhe se nuk kishte marrë pagat që i takonin. Por, sipas dokumentacionit zyrtar të institucionit, ai nuk ka rezultuar asnjëherë punonjës me pagë mujore të rregullt në këtë televizion.

Në të dhënat administrative thuhet se marrëdhënia e tij me RTSH-në ka qenë kontraktuale dhe e kufizuar në kohë, në kuadër të një projekti të jashtëm televiziv. Konkretisht, ai ishte angazhuar si moderator i një emisioni mëngjesi, për të cilin paguhej me honorar dhe jo me pagë fikse mujore.

Sipas RTSH-së, në procesin gjyqësor Agalliu ka paraqitur një status juridik të pasaktë, duke e interpretuar marrëdhënien e honorarit si marrëdhënie të mirëfilltë punësimi. Institucioni publik pretendon gjithashtu se moderatori nuk ka deklaruar faktin se vijon të përfitojë pagesa periodike nga RTSH për projektin në të cilin ishte i angazhuar.

Këto rrethana, sipas televizionit publik, përbëjnë mashtrim në një proces gjyqësor, çka ka çuar në ngritjen e padisë kundër tij. Gjykata tashmë i ka dhënë rrugë shqyrtimit të çështjes dhe verifikimet për rastin kanë nisur.

Në kërkesë-padi, RTSH kërkon gjithashtu pezullimin dhe shpalljen të pavlefshëm të titullit ekzekutiv të vendimit të datës 28 janar 2026, të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë.

Institucioni thekson se pretendimi për mospagesë nuk qëndron, pasi pagesat janë kryer në formën e honorareve për punën e realizuar në projekt, një praktikë që, sipas RTSH-së, është ndjekur edhe për anëtarët e tjerë të stafit të përfshirë në të njëjtin program.

Projekti televiziv për të cilin ishte angazhuar Agalliu kishte një afat të caktuar dhe, pas përfundimit të tij, pagesat janë realizuar sipas procedurave financiare të institucionit. Për këtë arsye, RTSH argumenton se nuk ka ekzistuar asnjë marrëdhënie punësimi me pagë mujore të papaguar.

Në dokumentacionin që shoqëron padinë përmendet edhe një tjetër pretendim i kontestuar nga institucioni: deklarata e moderatorit se aktualisht është i papunë. Sipas RTSH-së, kjo deklaratë nuk qëndron, pasi Agalliu shfaqet rregullisht në ekranin e Vizion Plus si pjesë e programeve të këtij televizioni.

Ndërkohë, RTSH ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe auditi të brendshëm lidhur me projektet televizive të firmosura gjatë një periudhe tranzicioni në institucion.

Nga kontrollet paraprake janë evidentuar disa raste të dyshuara për abuzime, përfshirë projekte të dyshuara si fiktive, ku në dokumentacion janë përfshirë emra personash të tretë në role si skenaristë apo regjisorë, pa pasur lidhje reale me këto funksione.

Sipas burimeve brenda institucionit, këta emra dyshohet se janë përdorur për të rritur artificialisht faturimet dhe vlerën financiare të projekteve.

Po sipas këtyre burimeve, RTSH po përgatit padi të tjera ndaj personave që pretendojnë në mënyrë të rreme se nuk kanë marrë honoraret për projektet në të cilat kanë qenë të përfshirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.