Tiranë – Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Kolektivi”, pas kallëzimeve të pesë punonjëseve që pretenduan se nuk ishin paguar për punën e kryer në një subjekt privat (parukeri).
Sipas njoftimit zyrtar, punonjëset dyshohet se janë shfrytëzuar dhe mashtruar nga punëdhënësit e tyre, duke mos marrë pagat përkatëse, në një vlerë totale rreth 20 250 euro.
Si rezultat i hetimeve nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, u arrestua shtetasi B. A., 41 vjeç, pronar i subjektit. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, shtetasja K. B., 38 vjeçe, u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Nga verifikimet paraprake, dyshohet gjithashtu se pajisjet me të cilat ushtronte aktivitetin ekonomik subjekti ishin futur në vend në mënyrë të kundërligjshme, duke ngritur dyshime për kontrabandë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale:
- “Mashtrimi”
- “Punësimi i paligjshëm”
- “Fshehja e të ardhurave”
- “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”
- “Kontrabanda me mallra të tjera”
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar të kundërligjshme.







