E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Deklarata e fortë: Balluku do jetë ministrja e parë grua që përfundon në burg
Lajme

Deklarata e fortë: Balluku do jetë ministrja e parë grua që përfundon në burg

Gazetari Almer Toska komentoi zhvillimet e fundit në raportin mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te situata që lidhet me ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka paraqitur kërkesë për arrestim.

Sipas Toskës, pozicioni i Ballukut në këtë moment është delikat, pasi ajo mund të disponojë informacione që lidhen me çështje të rëndësishme politike dhe ekonomike, ku mund të përfshihen edhe figura të larta të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama.

“Balluku ndodhet në një situatë ku, nëse disponon prova për përfshirje në afera të përbashkëta, ajo mund të ketë një lloj ndikimi ndaj Edi Ramës. Pikërisht këto prova të mundshme janë përmendur si një nga arsyet pse kryeministri mund të ndjehet i rezervuar për të përshpejtuar procedurat për heqjen e mandatit të saj”, u shpreh gazetari.

Toska përmendi gjithashtu një tjetër pretendim që qarkullon në qarqet politike, sipas të cilit Balluku mund të ketë mbështetje edhe brenda grupit parlamentar të mazhorancës.

“Përflitet se ajo ka rreth 20 deputetë që i qëndrojnë pranë dhe që në një skenar ekstrem mund të ndikojnë edhe në balancat parlamentare, për shembull në rast të një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë”, deklaroi ai.

Megjithatë, gazetari theksoi se situata aktuale lidhet kryesisht me zhvillimet në planin penal dhe me hetimet e drejtësisë, më shumë sesa me presione politike. Sipas tij, vendimi i kryeministrit Rama për ta larguar Ballukun nga detyrat qeveritare ka qenë një lëvizje taktike për të ulur presionin politik dhe ndërkombëtar.

“Rama u ka sinjalizuar partnerëve ndërkombëtarë se ishte i gatshëm ta shkarkonte, por ndërkohë duket se ndikimi i saj në disa struktura të ministrive që drejtonte më parë mund të vazhdojë përmes personave që konsiderohen besnikë të saj”, tha Toska.

Ai shtoi se në sfond të kësaj situate shfaqet edhe një ndërthurje interesash politike dhe ekonomike, ku përfshihen investitorë dhe aktorë të ndryshëm që kanë pasur lidhje me projektet dhe sektorët që drejtoheshin nga Balluku.

Duke folur për ecurinë e hetimeve, gazetari u shpreh se sipas informacioneve që qarkullojnë në qarqet mediatike dhe politike, Balluku mund të përballet me pasoja serioze ligjore nëse akuzat ndaj saj provohen në gjykatë.

“Sipas asaj që përflitet, Balluku mund të mos dalë nga kjo histori pa një dënim penal. Flitet për një dënim minimal prej 4 ose 5 vitesh burg, nëse akuzat konfirmohen në procesin gjyqësor”, tha Toska, duke shtuar se në këtë rast ajo mund të bëhej ministrja e parë femër në Shqipëri që dënohet me burg.

Në fund të analizës së tij në studion e News24, Toska u ndal edhe te ndryshimet e mundshme ligjore që po diskutohen nga qeveria. Sipas tij, kryeministri Edi Rama po shqyrton reforma të reja në legjislacion dhe për këtë proces po zhvillon konsultime edhe me ekspertë ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst është përmendur edhe emri i juristit slloven Drago Kos, i cili sipas Toskës është pjesë e diskutimeve profesionale për çështje ligjore dhe njihet gjithashtu si vëllai i komisioneres së Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.