Ofendoi gazetarin pas deklaratave në TV, procedohet penalisht vëllai i Igli Tares
Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori materialet procedurale për Agron Taren, vëllain e Igli Tares, pas një kallëzimi të bërë nga gazetari Almer Toska.
Sipas kallëzimit, gazetari pretendon se është kontaktuar nga Agron Tare pas daljes nga një studio televizive, ku kishte folur për Igli Taren dhe vëllain e tij.
Në denoncimin e tij, Toska ka deklaruar se pas përfundimit të intervistës televizive është telefonuar nga Agron Tare, i cili më pas i ka dërguar edhe një mesazh me përmbajtje fyese dhe i ka kërkuar të takoheshin.
Pas kallëzimit, 51-vjeçari është shoqëruar nga policia për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me ngjarjen. Sipas policisë, Agron Tare ka deklaruar se e kishte kontaktuar gazetarin për t’i kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e bëra prej tij gjatë emisionit.
Në përfundim të veprimeve të para, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori, ndërsa ndaj 51-vjeçarit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



