Çmimi i naftës në qytetin e Elbasanit ka pësuar një rritje të menjëhershme gjatë ditës së sotme, duke u rritur me rreth 10 lekë për litër dhe duke kaluar edhe nivelin e çmimeve që aplikohen aktualisht në Tiranë.
Nga verifikimet në disa pika karburanti në Elbasan gjatë mesditës së së shtunës, rezulton se një litër naftë po shitet deri në 195 lekë. Rritja është konsideruar e menjëhershme, pasi vetëm një ditë më parë çmimi i saj varionte nga 182 deri në 185 lekë për litër, nivel i përafërt edhe me atë të benzinës.
Ndryshimi i papritur i çmimit ka ngritur pikëpyetje te konsumatorët, të cilët dyshojnë se mund të ketë edhe abuzime nga ana e distributorëve të karburanteve në tregun vendas.
Ndërkohë, në Tiranë situata paraqitet më e qëndrueshme. Në shumicën e pikave të furnizimit me karburant, nafta vijon të tregtohet mesatarisht me rreth 182 lekë për litër, ndërsa në disa raste është shënuar një rritje e lehtë deri në 185 lekë.
Megjithatë, brenda pak ditësh edhe tregu i kryeqytetit ka përjetuar dy rritje të njëpasnjëshme të çmimit të naftës me pakicë.
Operatorët e tregut e lidhin këtë situatë me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Sipas tyre, tensionet dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës në bursat globale, çka po reflektohet gradualisht edhe në tregjet lokale.
Në këtë kuadër, pak ditë më parë qeveria shqiptare zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanive të hidrokarbureve për të analizuar situatën dhe pasojat që mund të ketë për tregun vendas. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe përfshiu disa institucione qeveritare dhe aktorë të sektorit të karburanteve.
Gjatë diskutimeve u trajtua mundësia që zhvillimet në Lindjen e Mesme të ndikojnë më tej në çmimet në Shqipëri. Megjithatë, deri në këtë moment nuk është marrë ende një vendim nëse qeveria do të ndërhyjë për të stabilizuar tregun apo do të lejojë që çmimet të përcaktohen plotësisht nga dinamika e tregut.







