Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja të karburanteve
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit ka përcaktuar çmimet e reja për karburantet në tregun shqiptar.
Vendimi është marrë në mbledhjen e dytë të zhvilluar më 22 shtator 2026, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve nga Këshilli i Ministrave.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë 213 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 201 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal i përcaktuar për konsumatorët do të jetë 193 lekë për litër, ndërsa shitja me shumicë nuk duhet të kalojë 181 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 22 shtator, në orën 12:00, dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku mund të përcaktohen ndryshime të reja në varësi të situatës së tregut.
Vendimi është marrë në zbatim të kuadrit ligjor për rregullimin e tregut të hidrokarbureve, përfshirë vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e situatës së veçantë në këtë treg.
Bordi u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë detyrimin për të respektuar çmimet e përcaktuara. Në rast të konstatimit të shkeljeve, autoritetet paralajmërojnë masa ndaj operatorëve, deri në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se do të vijojnë monitorimin e tregut, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e konkurrencës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



