Familja e Martin Canit: Djalin nuk na e vrau TikTok, por institucionet
“Qeveria përdori gjakun e birit tonë”
Familja e të ndjerit Martin Cani, i cili humbi jetën një vit më parë pas një konflikti me një bashkëmoshatar pranë shkollës “Fan Noli”, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila shpalli si antikushtetues vendimin për mbylljen e rrjetit social TikTok në Shqipëri.
Në reagimin e saj publik, familja Cani e konsideron këtë vendim si një konfirmim se masa e marrë nga autoritetet kishte cenuar lirinë e shprehjes dhe nuk kishte adresuar problemin real që çoi në tragjedinë e djalit të tyre. Sipas tyre, Martini nuk u bë viktimë e një aplikacioni, por e dështimit të institucioneve për të garantuar siguri dhe mbrojtje për të rinjtë.
Familjarët shprehen se vendimi i gjykatës nxjerr në pah, sipas tyre, hipokrizinë e një qeverisjeje që në vend të marrjes së përgjegjësive për problemet reale, zgjodhi të përdorë tragjedinë e djalit të tyre si argument për të justifikuar masa censuruese dhe veprime politike.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se, ndërkohë që vëmendja e institucioneve ishte përqendruar te mbyllja e aplikacioneve në internet, raste të tjera tragjike vazhduan të ndodhin në vend. Familja përmend se fillimisht një i mitur humbi jetën në Maliq dhe së fundmi një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Durrës, duke treguar se problemi i sigurisë mbetet ende i pazgjidhur.
Familja Cani thekson se nuk do të ndalet në kërkesën për drejtësi për Martinin dhe për çdo fëmijë tjetër që, sipas tyre, ka rënë viktimë e një sistemi të dështuar. Ata kërkojnë që emri i djalit të tyre të mos përdoret më si justifikim për vendime politike, duke kujtuar se ai ishte një djalë me ëndrra, pasion për futbollin dhe një jetë që u ndërpre tragjikisht.
Në fund të reagimit, familjarët bëjnë thirrje për masa konkrete që garantojnë sigurinë e të rinjve dhe kërkojnë që institucionet të kalojnë nga deklaratat te veprimet reale, duke theksuar se shoqëria ka nevojë për më shumë siguri dhe përgjegjësi, jo për censurë.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë deklaroi se ndërprerja e aksesit në TikTok përbën një kufizim të lirisë së shprehjes dhe të medias. Sipas arsyetimit të gjykatës, ndërhyrja nuk ishte e bazuar në një ligj të qartë dhe nuk përmbushte kriterin e proporcionalitetit, edhe pse mbrojtja e fëmijëve nga ndikimet e dëmshme në internet konsiderohet një objektiv i rëndësishëm në interes publik.
Gjykata theksoi se masa të tilla nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë që kanë institucionet shtetërore për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të të miturve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



