E bujshme! Konfirmohet rikthimi i madh në Kombëtaren Shqiptare
Një lajm mjaft pozitiv vjen për repartin ofensiv të Kombëtares shqiptare. Ernest Muçi është rikthyer zyrtarisht në dispozicion të trajnerit Silvinjo, duke u përfshirë në planet për ndeshjet vendimtare të muajit mars.
Konfirmimi ka ardhur nga klubi turk Trabzonspor, i cili bëri të ditur përmes një komunikimi publik se lojtari është ftuar për grumbullimin e radhës, ndërsa lista e plotë e Federatës Shqiptare të Futbollit pritet të shpallet shumë shpejt.
Pas një periudhe jo të lehtë gjatë vitit 2025, ku aktivizimi i tij ishte i kufizuar, Muçi duket se ka rigjetur formën më të mirë në kampionatin turk. Paraqitjet e fundit kanë qenë bindëse, duke tërhequr vëmendjen e stafit teknik të Kombëtares, i cili ka vendosur t’i japë një tjetër mundësi në një moment kaq delikat.
Shqipëria do të përballet me Poloninë më 26 mars në një ndeshje me peshë të madhe për ecurinë drejt Botërorit. Ky takim, i vlefshëm për fazën “play-off”, konsiderohet vendimtar për ambiciet kuqezi dhe rikthimi i Muçit shton alternativat në repartin ofensiv.
Tashmë mbetet për t’u parë roli që do të ketë ai në skuadër, teksa konkurrenca për një vend titullari është e fortë. Gjithsesi, forma aktuale e sulmuesit lë hapësirë për optimizëm se ai mund të jetë një element kyç në këtë përballje kaq të rëndësishme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



