Vetëm shtatë muaj pasi la ambientet e burgut, ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer sërish në izolim për të përfunduar pjesën e mbetur të dënimit penal. Sipas përllogaritjeve të fundit, atij i kanë mbetur edhe 6 muaj e 10 ditë për të shlyer.
Mbrëmjen e kaluar, Goro është paraqitur në Komisariatin e Vlorës, ku është bërë edhe zbatimi i vendimit për rikthimin e tij në burg. Ky veprim vjen pas një vendimi të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së, i cili ka lënë në fuqi dënimin ndaj tij.
Dënimi fillestar prej 2 vitesh burg është reduktuar në 1 vit e 4 muaj, për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar. Pas kësaj, Prokuroria e Posaçme ka kryer verifikimin e kohës së kaluar në paraburgim dhe ka arritur në përfundimin se Goro duhet të vuajë ende një pjesë të mbetur të dënimit.
Çështja lidhet me një vendimmarrje për tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës, për të cilën ai ishte shpallur fajtor edhe nga shkalla e parë e GJKKO-së në korrik të vitit 2025.
Ndërkohë, më herët Goro kishte kryer rreth 17 muaj burg për një tjetër çështje të ngjashme, që kishte të bënte me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në Gjilek të Himarës. Edhe në atë rast, ai përfitoi ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke bërë që të lirohej më herët.
Rikthimi i tij në burg vjen si pasojë e përllogaritjeve të reja ligjore mbi kohën e mbetur të dënimit, duke e detyruar të përfundojë plotësisht detyrimin penal të dhënë nga drejtësia.







