Kokaina e fshehur mes mishit të ngrirë, shqiptari drejtonte trafikun nga burgu në Shqipëri
Një organizatë shqiptare e trafikut ndërkombëtar të kokainës dyshohet se drejtohej nga një i burgosur në Shqipëri, i cili vijonte të koordinonte aktivitetin kriminal edhe nga qelia. Policia spanjolle ka zbardhur detaje nga operacioni që çoi në sekuestrimin e 303 kilogramëve kokainë në portin e Algecirasit, në Spanjë, dhe arrestimin e gjashtë personave, katër prej të cilëve shqiptarë.
Sipas hetimeve të Policisë Kombëtare spanjolle, drejtuesi i dyshuar i organizatës, me bazë në Valencia, kishte organizuar nga burgu futjen e ngarkesës së drogës në Spanjë. Kokaina ishte fshehur në një kontejner mes produkteve të mishit të pulës së ngrirë, që vinte nga Brazili. Ngarkesa prej rreth 300 kilogramësh ishte menduar si një provë për të testuar një itinerar të ri trafikimi përmes portit të Algecirasit.
Plani i organizatës ishte të zhvendoste transportin e drogës nga porti i Valencias, pas goditjeve të mëparshme policore, drejt një rruge alternative në jug të Spanjës. Në rast suksesi, grupi synonte të zgjeronte aktivitetin me sasi shumë më të mëdha, deri në katër tonë kokainë në muaj, për t’i shpërndarë më pas në tregun evropian.
Hetuesit dyshojnë se drejtuesi shqiptar, i cili ndodhet në një burg në Shqipëri për trafik droge, kishte vazhduar të kontrollonte aktivitetin përmes komunikimeve me bashkëpunëtorët. Sipas raportimeve, ai pretendonte se paguante rreth 10 mijë euro në muaj për të siguruar kushte luksoze gjatë vuajtjes së dënimit.
Operacioni u zhvillua pasi autoritetet spanjolle gjurmuan lëvizjet e kontejnerit dhe ndërhynë në momentin kur droga po nxirrej për t’u transportuar drejt një vile pranë Algecirasit. Gjashtë persona përfunduan në pranga, mes tyre drejtuesi i dyshuar i rrjetit në Spanjë dhe bashkëpunëtorë të tjerë që kishin role në transportin dhe mbikëqyrjen e ngarkesës.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se organizata kishte tentuar katër herë më parë të realizonte transportin e kokainës përmes këtij itinerari, por pa sukses. Ndërhyrja e policisë spanjolle ndërpreu planin për krijimin e një rruge të re të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



