Çfarë zbuluan pamjet filmike për ‘zhdukjen’ e 69 milionë lekëve?
69 milionë lekë të zhdukura në Postën e Durrësit, dosja “zbërthen” skemën
Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë nga hetimi për zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës. Në qendër të kësaj dosjeje është ish-drejtoresha e institucionit, e cila është lënë në burg, ndërsa për dy zyrtaret e tjera është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”, nën dyshimet për përfshirje në një skemë të mirëorganizuar financiare.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimet e Prokurorisë dhe Policisë, tre zyrtaret dyshohet se përgjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk kanë arkëtuar në degët Shijak dhe Krujë një shumë totale prej 69 milionë lekësh të rinj. Hetimi mbetet i hapur për të identifikuar çdo hallkë të skemës, përfshirjen e mundshme të personave të tjerë dhe destinacionin final të kësaj shume të konsiderueshme.
Në dosjen hetimore zbardhen me detaje të gjitha lëvizjet e kryera nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe ish-arkëtarja Paola Dana. Pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë në filialin qendror të Durrësit tregojnë se veprimet me vlerat monetare janë kryer në kundërshtim të hapur me ligjin dhe rregulloren e brendshme të institucionit.
Më 2 prill 2026, në orën 15:15:29, në filial mbërrijnë vlera monetare të shoqëruara nga një punonjës i postës dhe një punonjës i shërbimit të sigurisë. Në orën 15:29:12, shefja e financës Valbona Duni, në prani të Paola Danës dhe ndihmës arkëtares, i sinjalizon punonjësit të marrë thesin me para. Pak sekonda më vonë, në orën 15:29:22, ajo së bashku me një punonjës poste marrin thesin e ardhur nga banka dhe e fusin në arkë.
Në vijim, në orën 15:29:50, Duni merr thesin nga punonjësi dhe hyn në zyrën e saj, ndërsa në orën 15:30:05 e transporton atë në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj. Në orën 15:30:09 ajo futet në zyrë dhe del në 15:30:22. Në 15:31:16 niset të largohet nga puna, por thirret sërish nga drejtoresha në 15:31:31 dhe kthehet në zyrë. Në 15:33:04 del e para nga zyra, ndërsa në 15:33:27 largohet përfundimisht. Pak minuta më vonë, në 15:39:08, drejtoresha Mataj del nga zyra me një qese të bardhë transparente me përmbajtje të papërcaktuar.
Po për këtë datë rezulton mandat-pagesa nr. 2330, në vlerën 5,000,000 lekë, me përshkrim për llogarinë e brendshme të degës Shijak, e firmosur nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha, kjo e fundit arkëtare në Shijak, firmë e dyshuar si e falsifikuar.
Më 14 prill 2026, në orën 13:05:52, Valbona Duni merr një thes me para nga arka në prani të Paola Danës dhe në 13:06:04 futet në zyrën e saj. Kjo datë lidhet me mandat-pagesën nr. 2706, në vlerën 10,000,000 lekë, për degën Krujë, e firmosur nga të njëjtat persona, përfshirë edhe Valentina Guni, arkëtare e Krujës, firmë gjithashtu e dyshuar si e falsifikuar.
Më 15 prill 2026, në orën 14:13, Duni merr një thes tjetër me para nga arka dhe në 14:14 shkon në zyrë. Kjo lëvizje korrespondon me mandat-pagesën nr. 2748, në vlerën 10,000,000 lekë, për degën Krujë, me të njëjtën skemë firmash të dyshuara.
Më 20 prill 2026, në orën 13:39, ndihmës arkëtarja, në prani të Paola Danës, i dorëzon Dunin rreth 10 fasheta kartmonedhash 5,000 lekë të reja në një qese plastike. Në 13:39:26, ajo i merr dhe i çon në zyrën e saj. Kjo lidhet me mandat-pagesën nr. 2866, në vlerën 5,000,000 lekë për degën Shijak, me firmat përkatëse të dyshuara.
Më 24 prill 2026, në orën 14:15, një punonjës i shoqërimit të vlerave sjell dy thasë nga banka dhe i depoziton në arkë, në prani të Paola Danës. Në 14:18, një prej thasëve merret nga Duni dhe dërgohet në zyrën e saj. Në 14:16:51 fiksohet momenti kur ajo e transporton thesin. Kjo përkon me mandat-pagesën nr. 3002 (me korrigjim me shkrim dore në 2997), në vlerën 5,000,000 lekë për degën Shijak, me firmat e njëjta të dyshuara.
Më 30 prill 2026, në orën 15:09:07, ndihmës arkëtarja mbush një thes me para në prani të Paola Danës dhe ia dorëzon Valbona Dunit, e cila e çon në zyrën e saj. Në 15:01:03 fiksohet momenti i transportimit të thesit.
Më 7 maj 2026, në orën 14:41, Duni merr një thes me para nga arka dhe hyn në zyrën e saj. Në 14:42:27, nga kjo zyrë del drejtoresha Mataj dhe në 14:42:35 hyn në zyrën e saj. Në 14:42:45, Duni hyn në zyrën e Matajt me të njëjtin thes dhe në 14:43:19 të dyja dalin pa thesin me vlera monetare.
Më 8 maj 2026, në orën 13:47:22, Duni merr një pako të madhe kartmonedhash nga arka, në prani të Paola Danës. Në 13:47:36 i mbështjell me mandat-pagesë dhe në 13:47:43 i dërgon në zyrë. Kjo lidhet me mandat-pagesën nr. 4320, në vlerën 5,000,000 lekë për degën Shijak, me firmat përkatëse të dyshuara.
Më 21 maj 2026, në orën 15:24, Duni merr rreth 12 fasheta kartmonedhash dhe i çon në zyrën e drejtoreshës. Në 15:24:46 i mbështjell me mandat-pagesë, ndërsa komunikon me Paola Danën që kryen veprime në kompjuter. Në 15:24:59 hyn në zyrën e Matajt dhe në 15:25:18 del me mandat-pagesën në dorë, por pa kartmonedhat. Në 15:25:28, Mataj del me telefon në dorë dhe zhvendoset në një tjetër ambient.
Gjatë seancës gjyqësore, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj nuk ka dhënë një shpjegim konkret për fatin e parave. E pyetur nga gjykata mbi destinacionin e 69 milionë lekëve, ajo është shprehur se nuk ka dijeni për vendndodhjen e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



