Shkarkohet Drejtori i Burgjeve Klevis Qose, ja kush e zëvëndëson
Klevis Qose është shkarkuar nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, post që e mbante prej më shumë se dy vitesh. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë.
Në vend të tij është emëruar Adriatik Kupi, i cili më herët ka mbajtur disa poste në administratë, përfshirë drejtimin e IKMT-së në formë të komanduar.
Kupi ka qenë gjithashtu administrator i Njësisë së Petrelës në Tiranë, si dhe drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke pasur një profil të njohur në institucionet publike.
Ndryshimi në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve vjen në një moment delikat për këtë institucion, i cili në muajt e fundit është përfshirë në disa ngjarje të rënda.
Ndër më të bujshmet ishte arratisja e Altin Ndoci nga burgu i Durrësit, si dhe zbulimi i një “shtëpie bari” në Peqin, në një magazinë në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës.
Përtej këtyre episodeve, sistemi i burgjeve në vend vijon të përballet me problematika të theksuara si korrupsioni, hyrjet e paligjshme për takime speciale dhe një sërë abuzimesh të tjera, të cilat prej kohësh kanë ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe standardet e këtij sistemi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



